KQZ i bindet vendimit të Supremes për votat e Diasporës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur mbledhjen e radhës në të cilën është diskutuar për vendimin e djeshëm të Gjykatës Supreme e cila ka urdhëruar KQZ-në për numërimin e rreth 5 mijë votave të ardhura me postë nga jashtë Kosovës.

Valdete Daka, kryetare e KQZ-së, tha që nuk e komenton vendimin e Supremes.

“Në bazë të këtij aktgjykimi ne jemi të obliguar që t’i numërojmë fletëvotimet e votuesve jashtë Kosovës, nuk ka nevojë ta komentojmë, kemi obligimin, na pëlqeu s’na pëlqeu e kemi obligim ta zbatojmë ashtu siç është”, tha ajo.

Ilir Gashi, anëtar i KQZ-së nga PDK, shtroi problemin e 1,700 pakove të ardhura më 17 tetor.

“Kemi të bëjmë me kontingjentin prej 4600 pakove që kanë ardhë pas afatit ligjor, por vendimi nuk ka të bëjë me 1,700 pakot tjera të ardhura me 17 tetor. Me këtë vendim ka ndryshuar ligji mbi zgjedhjet e përgjithshme sepse ne jemi para akteve, unë e kam dilemën se çka do të bëjmë me 1,700 pakot e ardhura me 17 tetor”, tha ai.

Sami Hamiti, anëtar i KQZ-së nga LDK, u shpreh i pakënaqur me vendimin e Gjykatës Supreme.

“Konsideroj që është precedent shumë i keq, edhe ardhja e pakove nga Serbia, po ashtu edhe rritja e tolerancës për 45 mijë për qind. Vendimi që janë pranuar me astronautë votat, precedent i keq është edhe ky aktgjykim. Është një vendim që është në kundërshtim me Ligjin e Zgjedhjeve. Procesi deri në ditën e zgjedhjeve ka shkuar mirë, ne po e bastardojmë me këto vendime”, tha ai.

Ndërsa Adnan Rrustemi nga Vetëvendosje tha që vendimi e Supremes ka qenë i drejtë dhe e ka plotësuar ligjin për zgjedhje.

“Aktgjykimi nuk mund të diskutohet nga këndvështrimi i kompetencave, është një vendim i drejtë. KQZ-ja në zgjedhjet e mëparshme i ka pranuar pakot që kanë ardhur pas ditës se zgjedhjeve. Aktgjykimi e ka plotësuar Ligjin për Zgjedhje, ne si institucion vendimet e tilla i shndërrojmë në bazë juridike obligative. Nuk është thelbi te shifra, thelbi është te e drejta për të votuar. Të gjitha pakot deri më tani që kanë ardhur me vulën e nisjes para 5 tetorit duhet të pranohen”, tha Rrustemi.