
KQZ: Fillon numërimi i votave për kandidatë në Istog dhe Rahovec, pasdite nis edhe në Pejë e Podujevë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë në Qendrat Komunale të Numërimit në Komunat e ndryshme të Kosovës është duke vazhduar.
Ndërsa, sot, më 14.02.2025, ka nisur numërimi i votave për kandidatë edhe në Komunën e Istogut dhe Rahovecit, ndërsa nga ora 16:00 planifikohet të nisë numërimi edhe në Qendrat Komunale të Pejës dhe Podujevës.
“Mëngjesin e së premtes, më 14 shkurt, ky poces ka filluar edhe në Komunën e Istogut dhe Rahovecit. Gjatë pasdites, në orën 16:00, planifikohet që numërimi të fillojë në QKN-të, në Komunat Pejë dhe Podujevë.” – thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Ndërsa, në Komunën e Prishtinës, Lipjanit, Obiliqit dhe Parteshit numërimi ka filluar më 11.02.2025.
Një ditë më vonë, më 12.02.2025, numërimi ka nisur në: Deçan, Gjakovë, Drenas, Gjilan, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Skënderaj, Shtërpcë, Viti, Ranillug, Kllokot, Mitrovicë e Veriut dhe Han i Elezit.
Në Suharekë, Ferizaj, Vushtrri, Kaçanik, Novobërdë, Prizren, Shtime dhe Junik numërimi ka nisur më 13.02.2025 – sipas KQZ-së.
Ndërkohë që nëpër Komuna të Kosovës po bëhet numërimi i votave të kandidatëve për deputetë, në disa rast procesi është përcjellur me telashe teknike, që nga dita e Zgjedhjeve, më 09.02.2025, kur pak orë pas mbylljes së vendvotimeve KQZ-ja ka pasur probleme me platformën në procesimin e rezultateve.
Për këto zhvillime, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi gjatë një takimi me presidenten Vjosa Osmani, më 13.02.2025, tha se janë në pritje të një Raporti përfundimtar nga institucionet e Sigurisë.
Kurse, presidentja Osmani shtroi nevojën e koordinimit të mekanizmave institucional për ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe të votës së qytetarëve.
Sipas përditësimit të fundit, të bërë më 12.02.2025, në ora 22:12 të KQZ-së, janë numëruar 99.72% e votave për subjektet politike që morën pjesë në Zgjedhje.
Nga rezultatet aktuale preliminare që ka nxjerrë KQZ, Lëvizja Vetëvendosje ka 40.84%, Partia Demokratike e Kosovës 22.05%, Lidhja Demokratike e Kosovës 17.67%, Koalicioni AAK-NISMA 7.45%, Lista Serbe 4.55%, Koalicioni për Familjen 2.26%.
Sipas KQZ-së, rezultatet preliminare nuk përfshijnë: votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat jashtë Kosovës.
Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës janë të gjashtat me radhë që janë mbajtur që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17.02.2008.