KQZ, ende nuk ka marrë vendim se sa ditë mund të bëhet fushatë në balotazh

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi përmes një konferencë ka dhënë detaje për procesin e numërimit të votave nga zgjedhjet lokale.

Ai tha se këto ditë është duke u bërë futja në sistem e të dhënave nga formularët zgjedhor.

“Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, pasi kemi pranuar materialin zgjedhor nga të gjitha vendvotimet, po bëhet futja e të dhënave në sistem nga formularët e rezultateve të kandidatëve për kryetar të Komunave”, ka thënë Elezi.

Ai potencoi se KQZ është duke verifikuar edhe zarfet e ardhura nga jashtë vendit, nga data 15 shtator deri 15 tetor. Sipas tij, gjatë kësaj periudhe kanë pranuar 5,700 pako me fletëvotime.

“Pas përfundimit të procedurave në QNR, do të kemi një listë të saktë të numrit të votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta. Po ashtu, shërbimi votues i KQZ-së është duke bërë verifikimin e zarfeve të supozuara me fletëvotime nga jashtë Kosovës, të cilat kanë ardhur gjatë periudhës 15 shtator – 15 tetor. Gjatë kësaj periudhe, KQZ-ja ka pranuar rreth 5 mijë e 700 pako të supozuara me fletëvotime. Gjatë procesit të verifikimit do të kemi një pasqyrë të qartë se sa është numri i saktë i fletëvotimeve dhe nëse janë dërguar nga votuesit që i takon listës votuese jashtë Kosovës”, shtoi Elezi.

Zëdhënësi i KQZ tha se me përfundim të proceseve të lartpërmendura, fillon numërimi i votave me kusht, personave me nevoja të veçanta dhe ato dërguara me postë.

“Kjo do të bëhet gjatë ditëve në vazhdim dhe planifikojmë ta përmbyllim gjatë kësaj jave”, tha ai.

“Duke e ditur se raundi i dytë i zgjedhjeve, sipas ligjit për Zgjedhjet Lokale, duhet të mbahet 4 javë pas raundit të parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i përqendruar në përfundimin e të gjitha procedurave lidhur me Zgjedhjet për kryetar të Komunave, pra për të shpallur dhe certifikuar rezultatet përfundimtare të tyre, në mënyrë që të arrijmë afatet ligjore”, potencoi Elezi.

Lidhur me fushatën zgjedhore për raundin e dytë ai tha se KQZ do e përcaktojë numrin e ditëve në mbledhjet e radhës.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do ta përcaktojë me vendim periudhën e fushatës zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatë e tyre që për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave”, tha Elezi.