Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

KQZ do të presë aplikimet e subjekteve politike edhe në fundjavë

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka njoftuar se KQZ do të presë aplikimet e subjekteve politike që garojnë në zgjedhjet e 17 tetorit edhe gjatë fundjavës

“Meqenëse kanë mbetur edhe pak ditë deri në përfundimin e afatit për aplikim dhe dorëzimin e listave të subjekteve politike që duan të garojnë në zgjedhje, qoftë për kryetarë komunash apo për Kuvende Komunale, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të presë aplikimet edhe gjatë ditës së shtunë dhe të diele, nga ora 8 deri në 16”, njofton Elezi.

Elezi ka bërë të ditur se afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve dhe njëkohësisht të listës me emrat e kandidatëve është data 16 gusht dhe se nuk do të ketë afat shtesë pas kësaj kohe.

“Afati i fundit për dorëzim të aplikimeve dhe njëkohësisht të listës me emrat e kandidatëve është data 16 gusht, deri në orën 16:00. Nuk do të ketë afat shtesë dhe çdo aplikim pas kësaj kohe do të konsiderohet aplikim pas afatit dhe nuk do të rekomandohet për certifikim”, përfundon Elezi.