Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

KQZ certifikon rezultatet e rundit të dytë në 18 komuna

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatet përfundimtare të rundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar të 18 komunave nga 21 sa janë mbajtur më 14 nëntor.

Ndërkaq, rezultatet përfundimtare në Prizren, Dragash dhe Kllokot do të certifikohen pas konfirmimeve nga PZAP dhe Gjykata Supreme.

“Aktualisht në PZAP janë në procedurë të shqyrtimit dhe vendosjes dy ankesa që kanë të bëjnë me komunën e Prizrenit dhe Kllokotit, ndërsa një tjetër, që ka të bëjë me komunën e Dragashit është në proces në Gjykatën Supreme. Në mbledhje u tha se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të presë që palët të shterojnë të gjitha mundësitë brenda afateve të përcaktuara ligjore. ”, ka njoftuar KQZ.

18 komunat në të cilat KQZ ka certifikuar rezultatet përfundimtare dhe dihet kryetari i tyre janë: Gjakova, Gllogoci (Drenas), Gjilani, Istogu, Kaçaniku, Klina, Fushë Kosova, Kamenica, Obiliqi, Rahoveci, Podujeva, Prishtina, Shtimja, Vitia, Vushtrria, Malisheva, Juniku dhe Mamusha.

Më 17 nëntor, 21 komuna të Kosovës kishin zhvilluar rundin e dytë të zgjedhjeve lokale.