KQZ certifikon rezultatet e Ferizajt, Shtimes dhe Podujevës

Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, tha kanë certifikuar rezultatet e tri komunave të cilat në mbledhjen e kaluar nuk kanë arritur t’i certifikojnë shkaku që kishte ankesa dhe nuk kishin përfunduar shqyrtimet e tyre.

Komunat rezultatet e të cilave janë certifikuar sot nga KQZ-ja janë Ferizaj, Shtime dhe Podujevë. Kurse, komuna e cila nuk do të certifikohet ende, është Kllokoti.

“Mbledhjen e kaluar KQZ-ja ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve për kryetar të 34 komunave ndërsa për kryetarët e 4 komunave tjera Ferizaj, Shtime, Podujevë dhe Kllokot, kishte ankesa dhe shqyrtimi i tyre nuk kishte përfunduar nga PZAP dhe Gjykata Supreme. KQZ mund ta bëjë certifikimin e zgjedhjeve për kryetar të tri komunave Ferizaj, Shtime dhe Podujevë, ndërsa për Kllokot do të presim konfirmimin zyrtar se a ka përfunduar shqyrtimi i ankesës në Gjykatën Supreme”, tha Radoniqi.

Në Komunën e Ferizajt fitues është Agim Aliu nga Partia Demokratike e Kosovës me 62.38 për qind.

Komuna e Shtimes do të shkoj në raundin e dytë të zgjedhjeve me kandidatët Qemajl Aliu nga Lëvizja Vetëvendosje që ka marr 45.29 për qind të votave dhe Naim Ismaili nga Partia Demokratike e Kosovës me 44.54 për qind.

Edhe Komuna e Podujevës do të shkoj në raundin e dytë të zgjedhjeve me dy kandidatët Ekrem Hyseni nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 44.20 për qind dhe Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje me 44.16 për qind të votave.