
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Foto: Ibrahim Berisha, Radio Evropa e Lirë
KQZ certifikon grupin e parë prej 11 subjekteve politike për Zgjedhjet e 9 Shkurtit 2025
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më 18.12.2024, ka filluar me certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në Zgjedhjet 9 Shkurtit 2025.
Në mbledhjen e sotme, KQZ mori vendime të veçanta për certifikimin grupit të parë prej 11 subjekteve politike, me gjithsej 606 kandidatë për deputetë.
Në këtë grup, tri partitë politike: Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për Zgjedhjet e 9 Shkurtit të 2025-ës.
Besnik Buzhala, drejtor i Zyrës për Regjistrim në KQZ, ka treguar se kandidatët për deputetë, të këtyre Partive, janë verifikuar dhe asnjëri nga ta nuk bie ndesh me Ligjin.
“Me 10 vota për, KQZ ka certifikuar listën e LVV-së me 110 deputetët e propozuar. Sipas verifikimit nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, asnjë kandidat nuk bie ndesh me Ligjin për Zgjedhje.” – tha Buzhala për kandidatët e Vetëvendosjes.
Ai, tutje, shtoi se vlerësimi për kandidatët për deputetë është bërë edhe në KQZ dhe asnjë kandidat e asnjë subjekt nuk ka gjoba të papaguara.
Edhe për PDK-në e LDK-në, Buzhala tregoi se kanë dorëzuar listën me nga 110 kandidatë e se edhe për ta verifikimi është bërë nga KGjK, PZAP, KQZ dhe MPJD e MPB.
Në grupin e Partive, të cilat u certifikuan sot janë edhe; KOSOVA DEMOKRATİK TÜRK PARTİSİ, SOCIALDEMOKRATSKA UNIJA, INICIATIVA E RE DEMOKRATIKE E KOSOVËS, Koalioni Vakat, Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI), NOVA DEMOKRATSKA STRANKA, Jednstvena Goranka Partija (JGP), ZA SLOBODU PRAVDU I POSTANAK.
Lista e subjekteve politike dhe numri i kandidatëve të certifikuar, deri më tani, është:
Afati i fundit për aplikim për certifikimin e kandidatëve për deputetë kishte përfunduar, më 11.12.2024, në ora 23:59.
Janë 28 subjekte politike, të cilat kanë aplikuar për certifikim në Zgjedhje, nga data 01.09.2024 deri në përfundim të afatit, më 11.12.2024.
Sipas KQZ-së, prej tyre: 20 janë parti politike, 5 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.
Zgjedhjet në Kosovë do të mbahen më 09 Shkurt 2025.
Lista preliminare, e miratuar në mbledhjen e mbajtur më 28.08.2024, përmban 2,047,148 votues – shtetas të Kosovës.
KQZ do të bashkëpunojë me institucionet përkatëse për të verifikuar kandidatët për deputetë