KQZ cakton 4 U.D. të zyrtarëve komunal të zgjedhjeve në veri, vijnë nga komunat e tjera

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar me përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave në veri të Kosovës.

Sipas KQZ-së, pas dorëheqjes së katër zyrtarëve të lartë komunal të zgjedhjeve, tashmë janë caktuar katër ushtruesit e detyrës, të cilët do të kryejnë detyrat në katër komunat Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Zyrtarët të cilët janë caktuar të ushtrojnë këto detyra, janë zyrtarë komunalՃ të zgjedhjeve nga komunat tjera të Kosovës.

Burim Ahmetaj kryeshefi ekzekutiv i sekretariatit të KQZ-së tha se janë duke u përgatitur rreth procesit të zgjedhjeve.

“Sekretariati ka filluar të përgatitet për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave”- shtoi ai.

Ahmetaj tha se për ushtruesit e detyrës i kanë njoftuar edhe subjektet, derisa shtoi se kanë kërkuar edhe masa sigurie për këta zyrtarë.

Ilir Gashi, anëtar i KQZ-së kërkoi të jenë në kontakt  për të parë gatishmërinë e institucioneve atje për zgjedhje.

Anëtari i AAK-së në KQZ, Ibrahim Selmanaj tha se pjesa teknike është më pak me rëndësi krahasuar me pjesën praktike në terren.

Ai tha se duhet të shtrohet komunikimi me gjithë mekanizmat që janë përgjegjës për sigurinë në Kosovë.

Arianit Elshani, anëtar i PDK-së në KQZ-së, i cili në mungesë të kryesuesit e ka udhëhequr mbledhjen tha se KQZ ka bërë përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Ajo çka varet prej neve si anëtar jemi duke i kry detyrat”- tha ai.

Ahmetaj tha se deri tani i kanë mbajt 3 takime me policinë e Kosovës.

Ahmetaj tha se në komunat përkatëse zyrtarët ushtrues detyre nuk kanë mundur që t’i dërgojnë në zyre sepse sipas tij zyrat nuk i kanë në shërbim.

“Zyrtarët që gjeografikisht janë më afër komunave përkatëse të mund ta ushtrojnë detyrën” – tha ai.

Sipas tij aktualisht nuk ka DKA në këto komuna përkatëse dhe se shkollat nuk mund t’i përdorin si qendra të votimit.

Elshani kërkoi qe Këshilli i operacioneve zgjedhore të mblidhet nesër që të intensifikohen komunikimet me institucionet e tjera jashtë KQZ-së.

Presidentja Vjosa Osmani ka shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale në 4 komunat veriore pas dorëheqjes së kryetarëve dhe kuvendeve komunale.