Foto: Kallxo.com

KQZ blen materialin administrativ për vendvotimet në Komunën e Podujevës

Përmes platformës elektronike “e-prokurimi”, KQZ bën të ditur se ka siguruar blerjen e materialit administrativ për vendvotimet për zgjedhjet në Komunën e Podujevës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka realizuar aktivitetin e prokurimit për “Material administrativ për pakot e vendvotimeve për zgjedhjet Kryetare Komune ne Podujeve 2020”.

Për këtë tender, ky institucion i organizimit të zgjedhjeve,  ka parashikuar kontratë në vlerë deri në 3 mijë euro.

KQZ kishte përdorur procedurën e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë me kriter çmimin më të ulët.

Sipas njoftimit për dhënie të kontratës, furnizimin me material administrativ  për KQZ-në do ta realizoi kompania “Arti” ShPK  me çmim të kontratës prej 1 mijë e 425 euro.

Komuna e Podujevës do të shkojë në zgjedhje pasi kryetari i deritashëm i kësaj komune, Agim Veliu, është zgjedhur ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

Në garën për kryetar të Komunës së Podujevës janë tre kandidatë: Nexhmi Rudari nga LDK, Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje si dhe Naim Fetahu nga PDK.