Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

KQZ beson se rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve do të shpallen në fillim të javës së ardhshme

Zëdhënësi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka deklaruar se KQZ-ja është duke punuar maksimalisht për të përmbyllur sa më shpejt aktivitetet që janë duke u zhvilluar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, me qëllim të shpalljes së rezultateve përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët.

“Dy aktivitetet që po zhvillohen këtu (I) rinumërimi i vendvotimeve për të cilat ka vendosur KQZ-ja dhe () vlerësimi i pakove të supozuara me fletëvotime të cilat kanë ardhur nga jashtë Kosovës, mund të themi se janë në përfundim e sipër dhe presim që të përmbyllen ditën e shtunë”, tha Elezi.

Deri më tani sipas tij, janë rinumëruar rreth 70% apo 377 vendvotime nga 552 sa është numri i përgjithshëm i tyre pas vendimit të fundit të KQZ-së.

Elezi shtoi se shërbimi votues i KQZ-së është në përfundim e sipër të vlerësimit të rreth 43 mijë e 500 pakove të supozuara me fletëvotime që kanë ardhur nga jashtë Kosovës, nga 2 – 12 shkurt.

“Nga puna e deritashme nga ky shërbim janë hapur 41 mijë e 236 pako të supozura me fletëvotime prej nga kemi të aprovuara 48 mijë e 728 zarfe me fletëvotime dhe 18 mijë e 876 zarfe të refuzuara”, tha Elëzi.

Arsyet e mos aprovimit të tyre sipas Elezit janë të ndryshme, por mund të kategorizohen në 5 grupe kryesore:

“8 mijë e 417 zarfe janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës; 6 mijë e 113 zarfe janë dërguar nga persona që nuk kanë arritur të regjistrohen si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së aplikimit sepse nuk kanë dëshmuar kriteret ligjore; 1 mijë e 268 votues kanë dërguar fletëvotime nga dy herë; 2 mijë e 249 zarfe të dërguara nga votues të paidentifikuar (votim grupor); 829 zarfe të dërguara nga votues të cilët kanë bashkangjitur dokumente jovalide për identifikim”, tha Elezi.

Sipas Elezit dy aktivitetet që po zhvillohen këtu janë rinumërimi i vendvotimeve dhe vlerësimi i pakove të supozuara me fletëvotime të cilat kanë ardhur nga jashtë Kosovës.

“Mund të themi se janë në përfundim e sipër dhe presim që të përmbyllen ditën e shtunë. Kjo na bën të mundur që të fillojmë me numërimin e votave me kusht dhe votave të ardhura me postë”, shtoi ai.

Elezi tha se pas përfundimit të tyre dhe procedurave në QNR, atëherë KQZ-ja është e gatshme për të shpallur rezultatet përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët dhe besojnë shumë se do të bëhet në fillim të javës.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kuvendin e Kosovës, janë mbajtur më 14 shkurt.