Arkiv

KQZ aprovon mbi 23 mijë kërkesa për regjistrim si votues jashtë vendit, refuzon mbi 1500 sosh

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri më tani përmes platformës elektronike http://diaspora.kqz-ks.org, janë pranuar më shumë se 25 mijë e 100 kërkesa për regjistrim për të votuar në zgjedhjet që do të mbahen më 9 shkurt 2025.

Në bazë të të dhënave të KQZ-së, deri më sot (03.12.2024), prej numrit të përgjithshëm të aplikimeve, 23 mijë e 618 janë aprovuar, ndërsa 1 mijë e 525 janë refuzuar.

“Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk janë fotografuar duke mbajtur njëkohësisht në dorë dokumentin e identifikimit” – shpjegon KQZ.

Nga aplikimet e aprovuara, 6 mijë e 228 shtetas të Kosovës janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike, 3 mijë e 575 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-në në Kosovë dhe 13 mijë e 815 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës.

“Është e rëndësishme ta theksojmë se procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës, nuk është përjashtues. Kjo do të thotë se nëse një shtetasi i refuzohet aplikimi, ky nuk është një refuzim përfundimtar, pasi i njëjti ka të drejtë të ri-aplikojë. KQZ i informon individualisht aplikuesit e refuzuar për arsye të refuzimit të kërkesës së tyre dhe gjithashtu aplikuesit e refuzuar njoftohen se mund të ri-aplikojnë për regjistrim dhe të bashkëngjisin dokumentet e nevojshme për të përmbushur kërkesën e tyre në përputhje me udhëzimet e KQZ-së” – thuhet në njoftimin e KQZ-së.

KQZ ka njoftuar me këtë rast se periudha e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, e cila ka filluar më 29 gusht, do të përfundojë më 26 dhjetor 2024.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka inkurajuar të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për t’u bërë pjesë e procesit zgjedhor në Republikën e Kosovës, fillimisht duke u regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe më vonë duke votuar.

Në mbledhjen e mbajtur më 02.12.2024, anëtarët e KQZ-së kanë debatuar për letrën e ministres së Jashtme, Donika Gërvalla- Schwarz, me anë të së cilës është kërkuar që të shtohen hapësirat si qendra të votimit në diasporë. Kjo letër edhe pse u kërkua që të bëhet publike, prapë nuk u bë.

Anëtarët kundërshtuan njëri-tjetrin, e mbledhja përfundoi duke mos u miratuar as rendi i ditës.

Letra e ministres Gërvalla temë diskutimi në KQZ, debati përfundon pa miratimin e rendit të ditës