KPMSHCK aprovon raport të jashtëzakonshëm të monitorimit, obligon ATK të zbatojë të njëjtin
Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ka marrë vendim për aprovimin e një raporti të jashtëzakonshëm në Administratën Tatimore të Kosovës, duke obliguar drejtorin e kësaj të fundit që brenda 15 ditësh të e zbatojë atë së bashku me rekomandimet.
Këshilli gjatë implementimit të mandatit të tij lidhur me zbatimin e rregullave dhe parimeve të legjislacionit për shërbimin civil, bënë monitorim të jashtëzakonshëm në rastet kur kërkohet nga nëpunësit civil.
Në rastin konkret sipas raportit kuptohet se dy të punësuar të ATK-së kanë parashtruar kërkesë për monitorim të jashtëzakonshëm lidhur me moszbatimin e dy vendimeve të Këshillit për dy të punësuarit.
Këshilli gjatë procesit të monitorimit të jashtëzakonshëm në ATK ka marrë disa prova, nga të cilat ka ardhur në përfundim se dy vendimet e Këshillit nuk janë zbatuar në tërësi nga drejtori përgjithshëm i ATK-së.
Në këtë raport është konstatuar se bazuar në deklarimet e drejtorit të përgjithshëm të ATK-së, e bazuar edhe në listën e pagave për muajin dhjetor 2021……. dhe…………. marrin pagën e zëvendës drejtorëve të përgjithshëm të ATK-së mirëpo nuk kryejnë asnjë detyrë të këtyre pozitave.
Kështu kolegji i monitorimit të jashtëzakonshëm ka konstatuar që vendimet e lartcekura të Këshillit për këto dy raste nuk janë zbatuar në tërësi, e me këtë drejtori i përgjithshëm i ATK-së nuk ka respektuar një nga nenet e Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
“Vendimi i Këshillit është vendim administrativ i formës së prerë dhe zbatohet nga zyrtari i nivelit të lartë drejtues ose personit përgjegjës i institucionit që e ka marrë vendimin e parë ndaj palës”, është neni i cituar në këtë raport.
Tutje në lidhje më këtë dispozitë konstatohet se moszbatimi i vendimit të Këshillit nga personi përgjegjës i institucionit paraqet shkelje të rëndë të detyrave të punës.
“Meqenëse ligji për Administratën Shtetërore ka hy në fuqi më datë 03.03.2019 i cili në nenin 22par.4 përcakton se ‘në rastet e agjencive të mëdha me veprimtari komplekse, në ligjin e themelimit të agjencisë mund të përcaktohet qe drejtori ekzekutiv të mbështetet jo më shumë së 2 zëvendës drejtorë”, është thënë në raport.
Në fund të vendimit, kolegji ka konstatuar se me njoftimet e datës 09.07.21 dhe 12.07.2021 nga ana e ATK-së ku është njoftuar nga ana e këtyre të fundit se është bërë zbatimi i këtyre vendimeve, vë në lajthitje KPMSHCK, pasi sipas Këshillit nuk është bërë zbatimi i tërësishëm i vendimeve, përkund asaj që ankuesve i është lëshuar aktemërimi dhe marrin pagat e zv.drejtorëve, por se nuk i ushtrojnë këto detyra.
Si rekomandim është dhënë që drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, të bëjë zbatimin e plotë të vendimeve të KPMSHCK siç e parasheh edhe ligji për KPMSHCK.