Foto: KALLXO.com
KPM nuk arrin të trajtojë ankesat lidhur me rastin e "Big Brother Vip Kosova", cila ishte arsyeja?
Në mbledhjen e 11-të të Komisionit të Pavarur të Mediave nuk janë shqyrtuar ankesat e qytetarëve lidhur me shoun televiziv “Big Brother Vip Kosova”.
Kryetari i Komisonit të Pavarur të Mediave, Jeton Mehmeti, tha se ndonëse ishte paraparë që sot, më 26.11.2024, të trajtohen këto ankesa nuk kishin pranuar materialet e nevojshme nga kryeshefi ekzekutiv i këtij institucioni.
“Sot nuk kemi pranuar materialet nga kryeshefi ekzekutiv”- tha Mehmeti.
Mehmeti tutje tha se KPM e ka për obligim që të kryejë detyrat e veta në parandalimin dhe sanksionimin e provimit të dhunës në ekrane televizive, sidomos dhunës në baza gjinore.
Pas Mehmetit fjalën e mori ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të KPM-së, Niman Racaj, i cili tha se nuk është çështje e neglizhencave mostrajtimi i ankesave në këtë mbledhje por ka të bëjë me rastin e ndërrimit të objektit të KPM-se nga objekti i vjetër në objektin e ri.
Sipas ushtruesit të detyrës të kryeshefit, ankesat do të trajtohen brenda afateve kohore të parapara me ligj, me pranimin e ankesave lidhur me formatin “Big Brother Vip Kosova” ankesat i janë dërguar subjektit “Klan Kosova” për përgjigje në ankesa dhe në mbledhjen e radhës do të trajtohen këto ankesa.
“Ne i sigurojmë publikun e juve si Komision që të gjitha ankesat janë trajtuar sipas procedurave standarde, por ka ndikuar bartja në objektin e ri. Ne kemi ende afat në raport me ankesat e palëve, ne do t’i paraqesim ankesat e palëve”- tha Racaj.
Organizata “Qikat” para fillimit të mbledhjes ka paraqitur disa pankarta me shkrimet “Klan Kosova është media seksiste” dhe “Ndaleni Transmetimin e Big Brother Vip Kosova”.
Mbledhja ka vazhduar me miratimin e Rregullores për mbrojtjen e përdoruesve në fushën e ofrimit të shërbimeve mediale audio dhe audiovizuele dhe Rregulloren për procedurën e trajtimit të ankesave në KPM.
Këto dy rregullore janë miratuar me katër vota për, pasi që në mbledhje nuk ka prezantuar Luljeta Aliu- anëtare e Komisionit të Pavarur të Mediave.