KPM konstaton se RTK ka bërë shkelje me publikimin e lajmit të “Slobodna Bosna”
Komisioni i Pavarur i Mediave ka marrë vendim me të cilin ka konstatuar se RTK ka bërë shkelje me publikimin e lajmit të marrë nga “Slobodna Bosna”.
Ky vendim është marrë në mbledhjen 9-të të KPM-së, të mbajtur më 24.09.2024, ka konfirmuar për KALLXO.com, Arsim Dreshaj, zëdhënës për media në KPM.
Ankesa ndaj RTK-së është paraparë të diskutohet në pikën 6 të rendit të ditës.
Lajmi i publikuar më 22.07.2024, përkthyer nga RTK, flet ndër të tjera për kinse ndikimet e presidentit serb, Aleksandër Vuciq, për të futur në kontrollë edhe media kosovare.
Reagimi i Bordit të RTK-së
Bordi i RTK-së më 23 korrik mbajti mbledhje të jashtëzakonshme dhe përmes një njoftimi tha se është i shqetësuar për publikimin “e artikullit kontrovers në RTK”, që e cilësoi si “lëshim të qartë”, duke kërkuar sqarime të detajuara nga menaxhmenti.
Kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini, tha se i kanë ftuar të gjitha palët dhe stafin editorial për të raportuar për ketë çështje.
Ndërsa drejtori i televizioneve RTK 1, RTK 3 dhe RTK 4, Rilind Gërvalla, para mbledhjes tha: “Nuk e di për çka jena mbledhë”.
Pas mbledhjes, bordi i RTK-së njoftoi se ka marrë vendim për formimin e një komisioni profesional për ta sqaruar situatën në detaje dhe për ta ndriçuar përgjegjësinë editoriale “për këtë lëshim dhe do të merr masa rigoroze konform ligjit dhe akteve të brendshme të RTK-së”.
Kush dha dorëheqje lidhur me këtë çështje?
Dy ditë pas publikimit të artikullit, ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së përgjithshme të RTK-së, Zana Spahiu dha dorëheqje nga kjo pozitë.
Zana Spahiu ishte emëruar u.d. drejtoreshë e përgjithshme në RTK më 07.07.2024.
Dorëheqja e saj erdhi pas zhvillimeve rreth rastit të publikimit të lajmit nga RTK-ja, i cili ishte marrë nga mediumi boshnjak ‘Slobodna Bosna’.
Ndërsa, kryetari i Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, Besnik Boletini, më 17.08.2024, dha dorëheqje nga kjo pozitë.
Boletini tha se përpjekjet për të adresuar skandalin e publikimit të një artikulli të paverifikuar gjatë këtyre javëve ishin të përditshme dhe të vazhdueshme, përkundër vështirësive.
Pas dorëheqjes së Boletinit, dorëheqje nga Bordi dhanë edhe Arta Berisha dhe Safet Kabashaj.
Krasta: Nuk është primare ndëshkimi i njerëzve
Zëvendësdrejtori gjeneral i RTK-së, Adi Krasta, ka folur për publikimin e raportit të marrë nga media boshnjake “Slobodna Bosna”, i cili etiketonte dy portale kosovare si media të ndikuara nga Serbia, duke thënë se është i kënaqur që në Kosovë po bëhet një debat për standardet gazetareske.
“Nuk është primare historia e ndëshkimit, nuk jemi institucion policesk, nuk është primare për ne ndëshkimi, heqja e kokave, historia e shkarkimit është kulturë e vjetër në RTK dhe institucione tjera, që e zgjidh duke e shkarkuar tjetrin, që nuk zgjidhet problemi i vërtetë. Në këtë rast Bordi kur të plotësohet duhet të zgjedh drejtorin e përgjithshëm. Unë se kam me nxitim” – pati deklaruar Krasta.
Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka bërë të ditur se gjatë mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të mbajtur më 23.09.2024, ka propozuar që sa më shpejtë të futet në seancë propozimi për shkarkimin e Bordit të drejtorëve të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).
Duke folur para gazetarëve, Tahiri tha se anëtarët e Bordit të RTK-së duhet të mbajnë përgjegjësi penale, në lidhje me “artikullin diskutabil” të përkthyer nga një media boshnjake, e cila etiketonte dy media të Kosovës si të ndikuara dhe të financuara nga Serbia.