KPM-ja paralajmëron masa ndaj televizioneve për shkelje gjatë fushatës

Kryeshefi Komisionit të Pavarur të Mediave, Luan Latifi, ka thënë që gjatë fushatës zgjedhore ky institucion ka monitoruar punën e 17 televizioneve në Kosovë.

“Komisioni ka monitoru 17 ofrues të shërbimeve programore, kjo për arsye se edhe në kapacitetin e resurseve humane por edhe ato teknike  është e pamundur me i monitoru të gjitha mediat e licensume fokusi ka qenë tek televizionet për të cilat ne konsiderojmë që kanë ndikim në opinionin publik”, ka thënë Latifi.

Tutje në konferencën për media ku është bërë prezantimi i “Raportit të monitorimit të  Ofrueseve të Shërbimeve Mediale Audio-vizuele  gjatë fushatës për zgjedhjet e parakohshme 2019”, Latifi ka thënë që edhe këtë vite janë bërë shkeljet e njëjta nga televizionet.

“Gjetjet të cilat i kemi evidentuar gjatë këtij monitorimi kanë të bëjnë me gjuhën e përdorur në përmbajtje programore, pikat reklamuese politikë nga vet ofruesi i shërbimit medial, reklamimi politik mos identifikim i duhur i sponzorusit, përdorimi i fëmijëve në spote politike, edhe pse në fillim të fushatës janë përdorur në ndërkohë mediat i kanë evitu ato shkelje”, ka thënë ai.

Tutje kryeshefi ekzekutiv i KPM-së, ka thënë se janë të kënaqur me punën që kanë bërë mediat gjatë fushatës.

“Në përgjithësi raporti është në rregull, ne si KPM jemi të kënaqur ashtu si edhe raportet e tjera ndërkombëtare por shkeljet të cilat i kemi gjetur janë këto që i përmenda më herët”, ka theksuar ai.

Ai ka treguar se monitorimi është bërë nga ora 16 deri në orën 24 dhe nga fillimi i fushatës deri në ora 19 në mbyllje të vendvotimeve.

Sipas tij mediat për të cilat do të miren masat janë RTK, KTV, TV 21, Dukagjini, T7, TV Graqanica dhe Rrokum TV.