KPM i ofron bashkëpunim drejtësisë për zyrtarin e saj të arrestuar nën dyshimin për korrupsion

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka ofruar bashkëpunim të plotë me organet e drejtësisë, për zyrtarin e saj të arrestuar nën dyshimin për marrje ryshfeti.

Përmes një komunikate për media, KPM-ja ka thënë se është njoftuar jozyrtarisht se një zyrtar publik i Zyrës Ekzekutive të KPM-së, është ndaluar mbrëmë nga institucionet e rendit, nën dyshimin për marrje ryshfeti.

“Duke qenë të shqetësuar me këtë lajm, ftojmë institucionet e drejtësisë që të merren me rastin deri në zbardhjen e plotë, në mënyrë që të sqarohet edhe opinioni publik, por edhe ne brenda KPM-së”, thuhet në reagim.

KPM-ja ka ofruar bashkëpunim, në mënyrë që të ndihmojë në zhvillimin e hetimeve deri në pëfundim të rastit.

Mëngjesin e sotëm, Prokuroria ka njoftuar se drejtori i Administratës dhe Financave në Komisionin e Pavarur për Media, është arrestuar me dyshimin se ka kërkuar 8 mijë euro nga pronari i një biznesi.

Sipas Prokurorisë së Prishtinës, A.B. dyshohet se ka marrë ryshfet në vlerë prej 8,000 € (tetë mijë euro), me premtimin se do të ndikoj në mosndëshkimin e një subjekti biznesor, për një shkelje të pretenduar nga i dyshuari, gjoja se ky subjekt biznesor i ka shkelur rregullat e KPM.

Aferë e mitos në Komisionin e Mediave, Prokuroria kryen arrestime