KPM anulon plotësim ndryshimin e kodit etik që do të censuronte raportimin nga gjykatat

Komisioni i pavarur i mediave ka njoftuar opinionin se e ka anuluar plotësim ndryshimin e draft kodit etik për shërbimet mediale audiovizuele.

“Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) njofton përfaqësuesit e shërbimeve mediale audio-vizuele dhe palët e tjera të interesuara, se është ANULUAR procesi i plotësim-ndryshimit të draft Kodit Etik, ndërsa  mbetet në fuqi Kodi Etik për Shërbimet Mediale Audiovizuele në Republikën e Kosovës – KPM-2016/03”, thuhet në njoftimin e KPM-së.

Komisioni i Pavarur për Media përmes këtij Kodi të ri Etikës kishte paraparë që të censurojë në masë të madhe raportimin e televizioneve dhe radiove nga gjykatat.

Ky draft kod kishte paraparë masa të cilat nuk do të lejonin raportimin nga proceset gjyqësore duke kërkuar që raportimi të kryhet vetëm pas shpalljes së aktgjykimit përfundimtar.

Ndryshime këto të cilat ishin parë që të bëheshin me Kodin e ri të Etikës për shërbimet mediale audiovizuele, ishin cilësuar si problem i madh nga gazetarët.

Lidhur me plotësim ndryshimin e këtij Kodi, BIRN dhe Internews Kosova kishin dhënë rekomandimet dhe komentet e tyre.

BIRN dhe Internews Kosova kishin shprehur shqetësimin e thellë në lidhje me përmbajtjen e Draft Kodit të Etikës për Ofruesit e Shërbimeve Audio dhe Audiovizuele.

Pasi kanë analizuar në detaje përmbajtjen e Draft Kodit, BIRN dhe Internews Kosova  kishin evidentuar mangësi serioze që cungojnë të drejtat e medieve dhe shkelin rëndë parimet e vendosura me disa ligje dhe më 30 dhjetor të vitit të kaluar kishin dorëzuar 12 komente në Draft Kodin e propozuar nga KPM.

Rekomandimet e BIRN dhe Internews Kosova mund t’i gjeni duke klikuar në këtë link.

Po ashtu në emisionin “Jeta në Kosovë”, gazetarë, juristë dhe vetë përfaqësues të KPM-së kishin diskutuar lidhur me këtë draft rregullore.

Emisionin e plotë lidhur me këtë temë mund ta ndiqni duke klikuar në këtë link.