KPK vendos për kundërshtimin e prokurorit Arben Ismajli në lidhje me transferimin e tij nga Prokuroria e Apelit në Prokurori Speciale
Prokurori Arben Ismajli ka dërguar për shqyrtim një kundërshtim në Këshillin Prokurorial të Kosovës në lidhje me anulimin e transferit të tij nga Prokuroria e Apelit në Prokurorinë Speciale.
Në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës që po mbahet sot (27.08.2024) Kryesuesi i KPK-së, Ardian Hajdaraj e hodhi në votim kundërshtimin e prokurorit Ismajli në lidhje me rastin e tij.
“Njoftohet edhe një herë prokurori (Arben Ismajli) që kjo çështje edhe njëherë është vendosur nga ana e Këshillit” – tha Hajdaraj.
Në mbledhje pati edhe debat nëse Prokurori Ismajli kishte të drejtë apo jo kundërshtimin në lidhje me njoftimin përfundimtar që kishte marrë.
Në dosjen që ka siguruar KALLXO.com të kundërshtimit të prokurorit Ismajli, thuhet se më datë 05.04.2024 nga Komisioni për Transferim dhe Avancim të Prokurorëve të Shtetit kishte pranuar një njoftim se ishte përjashtuar/eliminuar nga e drejta e transferimit nga Prokuroria e Apelit te Prokuroria Speciale.
Ismajli ka thënë se kundërshtimin e bazon në shkelje të dispozitave ligjore të ligjit për KPK-në dhe shkeljeve të dispozitave të rregullores për Transferim dhe Avancim.
Sipas Ismajlit, Këshilli Prokurorial i Kosovës më 22.12.2023 kishte bërë shpalljen për plotësimin e 9 pozitave për prokuror në Prokurorinë Speciale të Kosovës.
Me këtë vendim KPK nuk kishte përcaktuar avancimin apo transferimin e prokurorëve, ndërsa Ismajli kishte parashtruar kërkesën për transferim nga Apeli në Speciale.
Në një mbledhje tjetër, gjithmonë sipas kundërshtimit që ka parashtruar Ismajli, në mbledhjen që ishte mbajtur nga KPK më 13.02.2024, kishte diskutuar kërkesën e tij për transferim dhe nuk kishte nxjerrë ndonjë vendim për aprovim apo refuzim të kërkesës.
Sipas tij, më 15.02.2024, kryesuesi i KPK-së kishte nxjerrë një njoftim se ka shqyrtuar kërkesën dhe kishte analizuar situatën si dhe kishin gjetur se nuk ka bazë ligjore për transferim.
Dosja thotë edhe se Këshilli Prokurorial i Kosovës më 19.03.2024 kishte marrë vendim dhe kishte aprovuar kërkesën për transferim nga Prokuroria e Apelit në Prokurorinë Speciale. Dhjetë ditë më vonë më saktësisht më 29.03.2024, KPK kishte anuluar vendimin për transferim nën pretendimin se nuk ka ekzistuar pëlqimi i Kryeprokurorit dhe shkeljeve të rregullores.
“Për mendimin tim kjo nuk qëndron, sepse KPK në të njëjtën procedurë ka bërë transferimin e prokurorit të PSRK-së në PTH në Mitrovicë dhe i njëjti vendim ende është në fuqi” – kishte thënë Ismajli në kundërshtimin e tij i cili po diskutohet edhe në mbledhjen që po mbahet sot (27.08.2024) të Këshillit Prokurorial i Kosovës.
Ismajli ka propozuar në kundërshtim që të anulohet në tërësi procesi lidhur me shpalljen e brendshme për plotësimin e nëntë pozitave për Prokuror në Prokurorinë Speciale.
Në mbledhjen e KPK-së sot u vë në pah edhe çështja se rasti i prokurorit Arben Ismajli është diskutuar në disa mbledhje.
Zëvendëskryesuesja e KPK-së, Jehona Grantolli tha se prokurori Ismajli nuk ka pasur të drejtë që të bëj kundërshtim.
“Situata për të cilën po diskutojmë, ka qenë ma specifik dhe këtu sa i përket njoftimit të komisionit e ka fjalën për njoftimin e rregullt për kandidatët që i kanë plotësuar kushtet. Nuk është situatë e njëjtë dhe nuk mund të aplikohet e drejta për të dhënë kundërshtimin se është ju keni vlerësuar si komision që nuk i plotëson kushtet për avancim, pra jemi duke folur, sepse rregullorja duhet me u lexu nga fillimi, pra njëherë përpilohet raporti final që e bën komisioni për Transferim dhe Avancim dhe në këtë raport final fare nuk ka qenë i përfshirë, sepse emri i tij është larguar nga komisioni për shkak që nuk i ka plotësuar kushtet për të ju nënshtruar këtij procesi dhe tani si mund të ketë ky të drejtën e këtij kundërshtimi kur ai fare nuk i është nënshtruar këtij procesi”- tha Grantolli.
Ajo ritheksoi se në raste të tilla prokurorët nuk kanë të drejtë të kundërshtimit.
Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi tha se Ismajli mund të dërgoj rastin edhe në instanca të tjera në gjykatë.
Anëtari Veton Shabani tha se në disa takime u trajtua rasti në fjalë.
“Është e vërtetë që është specifike sepse ka aplikuar nga një prokurori më e lartë për me shku me një prokurori me të ulët, kjo është shumë e vërtetë por ka aplikuar me dy rrugët me transfer dhe me proces që e ka shpallur ky këshill dhe ju kryesues e keni njoftuar për vendimin që është anuluar, ndërsa sa i takon të drejtës në kundërshtim, ne është dashur ta trajtojmë me kohë dhe nuk është trajtuar, ju e keni njoftuar për vendimin, atëherë jo për të drejtë të kundërshtimit që i ka dhënë komisioni për atë kjo është procedurë e pambyllur, pse është e pambyllur, pse nuk e keni sjellë në rend të ditës ju duhet të jepni përgjigje në këtë”- tha Shabani.