KPK reagon ndaj kërcënimit të prokurorit Lulzim Sulejmani

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka reaguar për kërcënimin ndaj prokurorit, Lulzim Sulejmani.

KPK-ja e ka dënuar fuqishëm këtë kërcënim, duke thënë “këto kërcënime serioze”, vijnë si rrjedhojë e angazhimeve të prokurorit në kuadër të aktiviteteve të tij në proceset disiplinore, të realizuara kohë më parë, ndaj ish-pokurorit special, Ali Rexha.

“Këto kërcënime serioze ndaj Prokurorit Sulejmani vijnë si rrjedhojë e angazhimeve të prokurorit në kuadër të aktiviteteve të tij në proceset disiplinore, të realizuara kohë më parë, ndaj ish-pokurorit special, Ali Rexha”, thuhet në reagim.

Tutje, KPK-ja ka thënë se qëndron në përkrahje të prokurorit Lulzim Sulejmani dhe ofron mbështetje të plotë në punën e tij gjatë ushtrimit të funksionit si Prokuror i Shtetit.

“KPK-ja siguron opinionin publik se kërcënimet ndaj prokurorëve nuk do t’i zmbrapsin synimet dhe përpjekjet e vazhdueshme për fuqizimin e shtetit ligjor dhe kërkon nga organet kompetente që këtë rast ta trajtojnë me seriozitetin dhe urgjencën e duhur”, thuhet në fund të reagimit.

Në ndërkohë, KALLXO.com ka kontaktuar ish-prokurorin Ali Rexha që përmendet nga KPK-ja, i cili duke përmendur gjendjen e tij shëndetësore shkurtimisht tha se nuk e ka kërcënuar fizikisht prokurorin Sulejmani.

“Nuk jam në gjendje të mirë shëndetësore, por mundem me thënë që nuk e kam kërcënu fizikisht. I kam thënë të ‘shkeli me ligj’, të ‘shkeli me gjyq’, nuk e kam pas fjalën për fizikisht..”, ka thënë Rexha përmes telefonit.

Në anën tjetër, prokurori Lulzim Sulejmani për KALLXO.com ka thënë se rasti ka ndodhur sot dhe menjëherë e ka paraqitur në Policinë e Kosovës.

“Ajo është çështje ligjore, unë e kam lajmëru rastin në stacionin policor. Këshilli i ka punët e veta, ka reaguar. Sot ka ndodhur rasti. Nuk po du me ekzagjeru rastin, thjesht mirren organet e rendit me këtë”, ka thënë Sulejmani.