KPK: Reagimi i kryeministrit për Pantiqin tendencë për ndërhyrje në punët e sistemit prokurorial

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) është shprehur i shqetësuar me deklarimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me ndryshimin e masës ndaj ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq, i arrestuar më 10 dhjetor nën dyshimet për organizim të akteve terroriste dhe cenim të rendit kushtetues.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) është thellësisht i shqetësuar me deklaratat e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe vartësve të tij, lidhur me vendimin ligjor për ndërrimin e masës së të pandehurit Dejan Pantiq nga paraburgimi në arrest shtëpiak, që është marrë pas kërkesë së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës”- thuhet në komunikatën e KPK-së.

KPK tutje ka vlerësuar se reagimet e tilla të kryeministrit Kurti dhe vartësve të tij janë tendencë për ndërhyrje në punët dhe pavarësinë e sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, KPK shpreh indinjatën e thellë ndaj kërkesës së kryeministrit Kurti për t’u informuar me emrin e prokurorit i cili ka bërë kërkesë për ndërrimin e masës ndaj të pandehurit Pantiq, ngase kjo, sipas komunikatës, përveç që ndikon në punën e pavarur të prokurorit, mund të nxisë edhe reagime që do mund të rrezikojnë jetën e tij.

Këshilli Prokurorial i Kosovës thekson se mbështet të gjitha vendimet e prokurorëve që janë të mbështetura në ligj, dhe ka bërë thirrje për të vazhduar punën e tyre të pavarur, profesionalisht dhe të mos ndikohen nga asnjë lloj ndërhyrjeje apo presioni.

KPK i bëri thirrje kryeministrit dhe vartësve të tij të respektojnë punën e Prokurorit të Shtetit si institucion i pavarur.

“Ndërsa, Kryeministrit Kurti dhe vartësve të tij, KPK ju bënë thirrje të respektojnë punën e institucionit të pavarur të Prokurorit të Shtetit, ngase tentativat për ndërhyrje, do të mbesin vetëm si të tilla”.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti gjatë ditës së sotme tha se është kureshtar të dijë se cili prokuror kërkoi arrestin shtëpiak për Pantiqin dhe cili gjyqtar e aprovoi.

Në një reagim publik, Këshilli Gjyqësor i Kosovës tha se sistemi i drejtësisë duhet të jetë i pavarur.

KGjK i përgjigjet Kurtit: Bazuar në Kushtetutë dhe Ligj, personi zyrtar kompetent që ka marr këtë vendim quhet Gjyqtar i Republikës së Kosovës