KPK pezullon pagat e prokurorëve serb të dorëhequr në veri

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, në konferencën vjetore për medie ka prezantuar punën njëvjeçare të KPK-së.

Maloku ka përmendur edhe dorëheqjet e prokurorëve serb në veri duke thënë se pagat e tyre janë pezulluar.

“Prokurorët serb muaj më parë kanë dhënë dorëheqje. Ka qenë dhe është për neve situatë bukur komplekse. Ne si këshill kemi vendos që këto dorëheqje t`i trajtojmë veç e veç dhe pas një analize do t`i marrim vendimin meritor. Pas vitit të ri pas pranimit të një analize besojmë shpejtë se do të vendosim në mënyrë meritore për këto dorëheqje. Këshilli ka pezullu pagat e tyre”- tha ai.

Ai ka përmendur të arriturat e KPK-së duke thënë se nga 330 raste të pranuara të korrupsionit ka zgjidhur 272 raste apo 72 për qind të rasteve të pranuara sa i përket korrupsionit, ndërsa sa i përket krimeve ekonomike nga 303 raste të pranuara janë zgjidhur 224 raste respektivisht 74 për qind të rasteve të pranuara.

“Raportet aktuale tregojnë për një efikasitet në trajtimin e rasteve të korrupsionit dhe krimeve ekonomike”, tha ai.

Maloku tha se buxheti i Këshillit për vitin 2022 ishte 12 milionë e 477 mijë euro.

“KPK ka realizuar 92.1 për qind të buxhetit total”, shtoi ai.

Ndërkaq buxheti i miratuar për vitin 2023 është pak mbi 15 milionë e 913 mijë euro.

“Por as për këtë vit nuk është miratu plotësisht kërkesat e tona sipas nevojave që ka Këshilli dhe tërë sistemi prokurorial i Kosovës” – shtoi ai.

Maloku shtoi se Këshilli gjatë vitit 2022  ka vlerësuar 61 prokuror, 28 mirë 32 mjaftueshëm dhe 1 prokuror në nivelin pamjaftueshëm.

Sa i përket vetingut, Maloku tha se “Ne ju qëndrojmë propozimeve tona. Një veting çfarë është mendu vështirë është me pas sukses”, tha ai.

Maloku ka përmendur edhe sfidat e KPK-së gjatë vitit 2022.

Ndër sfidat kryesore sipas tij ishin mosplotësimi i këshillit me dy anëtarë, buxheti i pamjaftueshëm, vonesa në dekretimin e kryeprokurorit, vendimi i qeverisë për ulje të pagave të prokurorëve, etj.

Maloku ka komentuar lirimin në arrest shtëpiak të ish-policit, Dejan Pantiq.

Maloku tha se është shqetësuese çfarëdo ndërhyrje nga pushteti në sistemi e drejtësisë ndërkaq tha se nuk mendojnë se është përgjegjës Prokuroria.

“Janë institucionet përkatëse që duhet ta sigurojnë personin në fjalë. Duhet t’i pyetni të tjerët”, shtoi ai.