Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

KPK kërkon nga presidentja Osmani dekretimin e Blerim Isufajt për kryeprokuror të shtetit

Këshilli Prokurorial i Kosovës gjatë ditës së sotme i është drejtuar Zyrës së Presidentes Vjosa Osmani me kërkesë për dekretimin e Blerim Isufajt në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

“Kjo kërkesë është bërë duke marrë parasysh se janë shterur të gjitha rrugët ligjore që kanë rezultuar se procesi për rekrutimin e pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit ka qenë i drejtë dhe legjitim”- thuhet në njoftim të KPK-së.

Tutje në njoftim thuhet se çështja e kryeprokurorit të shtetit është urgjencë.

“Andaj, duke vlerësuar lart angazhimin e Zyrës së Presidentes në tërë këtë proces dhe rolin e saj si garantuese e funksionimit të institucioneve të vendit, si dhe duke besuar në qëndrimin e përbashkët që të kemi institucione me funksionalitet të plotë, KPK-ja ka kërkuar që procesi i dekretimit të Kryeprokurorit të Shtetit të trajtohet me urgjencë dhe të sigurohet zbatimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës”- thuhet tutje në njoftimin e KPK.

Sipas tyre dekretimi i Kryeprokurorit të Shtetit është esencial për sistemin prokurorial dhe në përgjithësi për sundimin e ligjit në vend, prandaj KPK-ja thekson se shtetit dhe institucionit tonë i nevojitet Kryeprokurori i Shtetit me mandat dhe fuqi kushtetuese dhe ligjore.

Blerim Isufaj ishte votuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për Kryeprokuror të ri të Shtetit.

Me 11 vota pro Blerim Isufaj është nominuar për kryeprokuror të ri të Shtetit.

Emri i tij ishte propozuar që nga 16 prilli i vitit të kaluar por që dekretimi i Isufajt kishte ngecur në zyrën e Presidentes Osmani.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në një intervistë në emisionin “Kallxo Përnime”, kishte thënë se do të studiohet çdo detaj para vendimit për dekretimin ose jo të Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit.

“Nuk është vendim i cili merret shkel e shko. Kryeprokurori në sistemin tonë të drejtësisë ka rol kyç në vendosjen e drejtësisë, prandaj edhe do të studiohet secili detaj”, kishte thënë presidentja Osmani.

Madje Osmani kishte thënë se procesi i dekretimit nuk do të zgjaste.

“Nuk mund të jap datë, sepse këtu me rëndësi është kualiteti i vendimit, dhe jo data, jo sa ditë do të na marrë analiza e dokumentacionit, nuk mund të them që do ta stërzgjasim sepse në momentin që i marrim informacionet nga të gjitha”, kishte thënë Osmani.

Transparenca e munguar në konkursin për Kryeprokuror të Shtetit