KPK kërkon nga Avokati i Popullit ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese votimin e Ligjit për KPK-në

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka parashtruar kërkesë në Institucionin e Avokatit të Popullit që ta dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese Ligjin e ndryshuar për KPK-në.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi të KPK-së drejtuar mediave.

“Gjithashtu, Këshilli Prokurorial, njofton se komentet e tij ndërlidhen me evidentimet konkrete të shkeljeve kushtetuese dhe ligjore që janë bërë me anë të këtij ligji, të miratuar më 23 qershor 2022, në Kuvendin e Kosovës” thuhet tutje në njoftimin e Këshillit.

Në njoftim thuhet se Këshilli do të vazhdojë të angazhohet për një sistem prokurorial të pavarur, të paanshëm, transparent dhe çdo herë në zbatim të ligjit.

Me ligjin e ndryshuar për KPK,  ky Këshill do të ketë përbërje të re me anëtarët prokurorë dhe jo prokurorë.

“Fillimisht përbërja e re do të ketë dy anëtarë nga prokuroritë themelore, qoftë nga Prokuroria e Apelit apo Speciale dhe Kryeprokurorin e Shtetit sipas detyrës zyrtare. Ashtu siç e thonë Kushtetuta, Kuvendi pas këtij plotësim ndryshimi ka të drejtë të zgjedhë dy anëtarë joprokurorë, ndërsa risia kryesore është caktimi i një anëtari të ri nga Avokati i Populllit në konsultim me organizatat civile”, kishte deklaruar ministria e Drejtësisë, Albulena Haxhiu për ligjin në fjalë.

Ndërsa kryeministri Kurti pas miratimit të ligjit, kishte deklaruar se me këtë ligj, në takimet e KPK-së nuk do të diskutohet për interesat vetanake të prokurorëve, por për sistemin prokurorial.

“Në këtë mënyrë, ligji i ri do të zhvendosë diskutimin e takimeve të KPK-së nga interesat vetanake të prokurorëve, tek interesat që kanë në fokus fuqizimin e sistemit prokurorial, veprimin energjik të prokurorëve dhe aktakuzat e fuqishme të cilat nuk mundësojnë lirimin e kriminelëve me kusht por sigurojnë zbatimin e ligjit për kategori të tilla”, kishte shkruar Kurti në Facebook në prill të këtij viti.

Kurti: Projektligji për Këshillin Prokurorial do të rris llogaridhënien dhe transparencën