Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

KPK ka kursyer afër 6 mijë euro duke i pranuar lëndët nga Policia në mënyrë elektronike

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku gjatë konferencës vjetore ku ka prezantuar punën një vjeçare të KPK-së, ka thënë se janë kursyer afër 6 mijë euro nga buxheti.

Kjo sipas Malokut ka ndodhur pasi lëndët e dërguara nga Policia e Kosovës i kanë pranuar në mënyrë elektronike.

“82.4% të lëndëve nga Policia i kemi pranuar në mënyrë elektronike dhe si rezultat i kësaj kemi arritur të kursejmë buxhetin prej 5 mijë e 844 euro”, është shprehur Maloku.

Ai po ashtu ka thënë se kjo metodë ka mundësuar edhe komunikimin e plotë në mes prokurorisë dhe policisë.

I njëjti tutje ka prezantuar statistika të zgjidhjeve të rasteve të ndryshme të bëra në prokuroritë e Kosovës.

“KPK ka arritur nga 372 raste të korrupsionit të pranuara të zgjidh 285 raste, pra 77% të rasteve të pranuara”, është shprehur Maloku, duke shtuar se në aspektin e krimeve ekonomike nga 351 raste të pranuara janë zgjidhur 341 raste, pra 97% e rasteve.