Një nga mbledhjet e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) FOTO: KALLXO.com

KPK i reagon Kurtit lidhur me deklaratën se “Prokurorët do të ribëhen”

Këshilli Prokurorial i Kosovës përmes një komunikate për media i ka reaguar Albin Kurtit, lidhur me deklaratën e tij se “prokurorët e Kosovës duhet të ribëhen, siç e kanë emrin apo në të kundërtën do të shkojnë”.

Sipas KPK-së, deklaratat e politikanëve duhet të jenë të përmbajtura dhe të respektojnë ndarjen e pushteteve, pa ndërhyrje në punën e Gjykatave dhe Prokurorive.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) respekton të drejtën e shprehjes së mendimit të lirë të secilit individ dhe subjekt politik, mirëpo deklarimet dhe qëndrimet e kandidatëve, të cilët janë pjesë e fushatës zgjedhore, duhet të jenë të përmbajtura dhe në respektim të plotë të ndarjes së pushteteve dhe të mos përbëjnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punën e Gjyqësorit, përkatësisht, Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Prokurorit të Shtetit”, thuhet në komunikatën për media të KPK-së.

Ky reagim i KPK-së erdhi pas deklaratës së kandidatit për kryeministër nga Lëvizja e Vetëvendosje, Albin Kurti në #DebatPernime, i cili u dërgoi mesazh të gjithë prokurorëve të Kosovës.

Sipas tij, prokurorët në Kosovë duhet të bëhen siç e kanë emrin.

Po ashtu, gjatë deklaratës së tij, Kurti e përmendi edhe kryeprokurorin e Kosovës, Aleksandër Lumezin.

“Janë rreth 200 prokurorë në Kosovë dhe ata ose do të ribëhen siç e kanë emrin, ose nuk do t’i mbijetojnë trysnisë qytetare. Nuk do të shkoj veç Lumezi, por do të shkojnë plot. S’do të kthehet veç Elezi, por do të kthehen plotë të tjerë”, tha Kurti në #DebatPernime.

Lidhur me këtë deklaratë të Kurtit, KPK thekson se kryeprokurori i shtetit është i detyruar t’i përgjigjet vetëm KPK-së dhe jo vullneteve politike.

“Kryeprokurori i Shtetit zgjidhet dhe i përgjigjet vetëm Këshillit Prokurorial të Kosovës, prandaj detyrat, obligimet dhe mandati i tij janë të përcaktuara nga Kushtetuta dhe ligjet e vendit, e jo nga vullnetet politike”, thuhet në reagimin e KPK-së.

Ndër të tjera KPK thekson se me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë është duke u punuar në forcimin e sundimit të ligjit dhe transparencës brenda sistemit prokurorial.

“Më këtë rast, theksojmë se sistemi prokurorial me mbështetje të fuqishme edhe të partnerëve ndërkombëtarë është duke u angazhuar maksimalisht për avancimin e mekanizmave të brendshëm në fuqizim të llogaridhënies, transparencës dhe efikasitetit, si dhe forcimit të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës”, është thënë në komunikatën e KPK-së.

Albin Kurti së bashku me ekipin e tij, Glauk Konjufca, Arben Vitia, Hekuran Murati, Albulena Haxhiu, Arbërie Nagavci, Fitore Pacolli, Jeta Statovci, Mimoza Kusari, Rozeta Hajdari nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista ‘Vjosa’, ishtin të futar mbërëm në #DebatPernime, me ç’rast shpalosën programin për qeverisje të kësaj partie.