KPK i reagon kryeministrit Kurti
Këshilli Prokurorial i Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit, Albin Kurti, të dhëna sot para deputetëve në Kuvendin e Kosovës.
Kurti në Kuvend ka akuzuar kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, për të cilin tha se nuk e ka fituar asnjë rast në gjykatë dhe ka përmendur rastin e Dino Asanajt, për të cilin tha se nga vrasja e ka kategorizuar në vetëvrasje, dhe për rastin “Sopi”, të cilin sipas kryeministrit, Isufaj e ktheu nga vetëvrasja në vrasje.
Për Dino Asanajn, KPK-ja ka thënë se pas vlerësimit të gjendjes faktike është dhënë informacioni në kohë reale lidhur me rastin.
“Sa i përket rastit të tanimë të ndjerit z. Dino Asanaj, informojmë opinion se janë ndërmarrë të gjitha veprime e nevojshme hetimore dhe procedurale nga ana e prokurorit të çështjes dhe pas vlerësimit të gjendjes faktike është dhënë informacioni në kohë reale lidhur me këtë rast”- thuhet në reagimin e KPK-së.
KPK-ja ka ftuar kryeministrin Kurti, zyrtarët shtetërorë, ministrat, deputetët dhe qytetarët, që kanë informacione në lidhje me rastin dhe t\i ofrojnë të njëjtat në organet e drejtësisë.
“KPK-ja thekson se për hir të transparencës para opinionit publik dhe në zbatim të ligjit, fton këdo që ka informacione të tjera lidhur me këtë rast, përfshirë edhe vetë Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministrat dhe deputetët e Kuvendit, si dhe zyrtarët e tjerë shtetërorë dhe qytetarët e vendit, që të vijnë dhe të ofrojnë informacionet lidhur me këtë rast pikërisht në institucionin ku është vendi të jepen detajet që mund të jenë të panjohura deri tashti”- thotë KPK-ja.
Për rastin “Sopa”, KPK-ja ka thënë se Blerim Isufaj ishte prokuror i rastin vetëm në fazën fillestare, ndërsa rasti i ka kaluar një tjetër prokurori. Këshilli Prokurorial i ka rekomanduar kreut të ekzekutivit që të këkrojë përgjigje nga ai prokuror.
“Rrjedhimisht, Këshilli Prokurorial i Kosovës, informon publikun e gjerë se, sa i përket rastit “Sopa”, është e vërtetë që tashmë Kryeprokurori i PSRK-së, z.Blerim Isufaj, ishte prokuror i rastit në fazën fillestare të hetimeve, porse ju informojmë se ndërkohë këtë rast e ka marrë në trajtim një prokuror tjetër dhe është mirë që të pyetet prokurori i rastit, sepse vetëm ai mund të japë përgjigje adekuate”- thekson KPK.
Ndërkaq për pretendimet e Kurtit për rastet e patrajtuara, KPK ka thënë se këto deklarata janë të pavërteta.
“Gjithashtu, KPK-ja demanton deklaratat e pavërteta se ka pasur raste edhe me herët por kinse nuk janë ka trajtuar, pra kjo deklaratë rezulton të jetë e pavërtetë dhe natyrisht se edhe për këtë rast, nëse ka informata të tilla, le ta deklarohen ato publikisht dhe të dihet se cili rast ishte dhe kush e ka trajtuar atë”- thuhet mes tjerash në reagimin e KPK-së.
KPK ka reaguar edhe më herët ndaj deklaratave të deputetëve të LVV-së për Isufajn.