KPK, FOL, Internews Kosova dhe Debate Center nënshkruajnë memorandum mirëkuptimi

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), Fol, Internews Kosova dhe Debate Center sot kanë nënshkruar memorandum mirëkuptimi.

Sipas komunikatës ky memorandum u nënshkrua me qëllim të zbatimit të projektit “Sistemi i Drejtësisë në Kosovë i Përgjegjshëm, i Besueshëm dhe Transparent”, i cili është financuar nga INL (Byroja e Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit) dhe do të zbatohet nga Fol, Internews Kosova dhe Debate Center.

“Qëllimi i këtij memorandumi është të përcaktojë veprimet e përbashkëta ndërmjet KPK-së dhe FOL, Internews Kosova dhe Debate Center për zbatimin e projektit i cili ka për qëllim rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në Sistemin Drejtësisë në Kosovë”, thuhet në komunikatën e KPK-së.

Tutje sipas njoftimit memorandumi ka paraparë shumë aktivitete që duhet ndërmarrë nga palët nënshkruese me qëllim të realizimit të projektit të lartcekur.

“Ky memorandum është në vazhdën e aktiviteteve të Këshillit Prokurorial të Kosovës për ngritjen dhe fuqizimin e komunikimit dhe bashkëpunimit me shoqërinë civile”, thuhet në njoftim.

Kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni, pas nënshkrimit të memorandumit tha se institucioni që ai kryeson e vlerëson kontributin e shoqërisë civile në fushën e sundimit të ligjit dhe mbeten përherë të gatshëm për fuqizim të bashkëpunimit.​