KPK avancon katër prokurorë dhe formon dy panele për rastet disiplinore në Prishtinë e Ferizaj

Këshilli Prokurorial i Kosovës nën udhëheqjen e kryesuesit Jetish Maloku, në përputhje me masat mbrojtëse kundër pandemisë Covid-19 ka mbajtur takimin e 205 të radhës.

Sipas komunikatës KPK-ja sot ka avancuar katër prokurorë të prokurorive të Kosovës, në kuadër të proceseve të avancimit të prokurorëve.

Prokurorët e avancuar janë një prokurorë në Prokurorinë e Apelit, dy prokurorë në Departamentin e Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore të Gjilanit dhe një prokurorë në Departamentin e Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore të Gjakovë.

Gjatë këtij takimi, anëtarët e KPK-së po ashtu kanë themeluar dy panele hetimore për trajtimin e dy rasteve disiplinore – një në Prokurorinë Themelore të Prishtinës dhe një në Prokurorinë Themelore të Ferizajt.

Tutje në këtë takim KPK-ja ka miratuar pjesërisht Raporti për vlerësimin e performancës së tetë prokurorëve të shtetit.

Vendime të tjera të rëndësishme që i mori KPK-gjatë këtij takimi janë edhe  rishpallja e konkursit të brendshëm për avancimin e një prokurori në Departamentin për të Mitur të Prokurorisë Themelore të Gjakovës.

Kurse, bëhet e ditur se  anëtarët e KPK-së po ashtu kanë miratuar dy akte nënligjore  Rregulloren për Transferimin dhe Avancimin e Prokurorëve dhe Plotësim-ndryshimin e Udhëzimit Administrativ nr. 01/2018 për Caktimin e Normës Orientuese për Prokurorët e Shtetit.

Më tej është miratuar edhe dokumenti i politikave të trajnimit për prokurorët dhe stafin administrativ të sistemit prokurorial dhe Plani i nevojave për trajnimin e prokurorëve dhe stafit administrativ.