Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kozhani: Shumica e bizneseve të identifikuara që financojnë partitë politike janë ndëshkuar nga ATK

Bizneset të cilat janë potencialisht financuese të partive politike janë ndëshkuar nga Administrata Tatimore e Kosovës. Është një numër i vogël i këtyre bizneseve që nuk kanë pasur ndonjë kontroll apo ndëshkim nga ATK-ja.

Këto të dhëna janë shpalosur sonte në emisionin e KALLXO.com nga hulumtuesja Egzona Kozhani, e cila ka qenë një nga autoret e raportit për Administratën Tatimore të Kosovës.

Kozhani ka thënë se 75 % e bizneseve të cilat janë identifikuar si financuese potenciale të partive politike janë kontrolluar nga ATK.

“Ne kemi arrit me e identifiku 68 biznese që potencialisht janë financuese të partive politike ku prej tyre ATK ka tregu 75.3 % të këtyre janë kontrolluar ndërsa prej tyre 72% janë ndëshkuar”, tha Kozhani.

 

Gjatë këtij viti BIRN dhe D+ kanë gjurmuar në bizneset të cilat potencialisht janë financuese të partive politike. Të dhënat tregojnë që 10 biznese financuese të partive politike nuk janë kontrolluar fare nga Administrata Tatimore e Kosovës.

Këtë muaj Rrjeti Ballkanik I Gazetarisë Hulumtuese – BIRN dhe organizata Demokraci Plus kanë publikuar raportin e monitorimit të Administratës Tatimore të Kosovës.

Raporti titullohet “Evazioni në Punësime”, për shkak të problemeve të ATK-së me procedurat e rekrutimit dhe parregullsive të cilat janë konstatuar në konkurset e fundit.

Gjetjet e këtij raporti tregojnë se ATK vazhdon të ketë probleme me disiplinimin e zyrtarëve të saj, aty tregohet se në shumë raste vërejtjet të cilat jepen nga menaxherët shpeshherë nuk janë të arsyetuara siç duhet.

Tutje raporti tregon se masat disiplinore të shqiptuara shpeshherë nuk janë në përputhje me shkeljen e kryer pasi masat janë më të lehta sesa realisht do të duhet të ishin.

Pjesë e raportit janë edhe hulumtimet e publikuara gjatë vitit 2020 në të cilat ishin shfaqur dyshimet për mos deklarim të pasurisë nga ana e dy zyrtarëve të lartë të ATK-së.

Të dhënat tregojnë se ATK vazhdon të ketë probleme me fiskalizimin e bizneseve pasi gati gjysma e bizneseve në Kosovë vazhdojnë të jenë të pafiskalizuara.