Kovaçevski për nismën “Ballkani i Hapur”: Ftesa për kryeministrin e Kosovës mbetet e hapur

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski në samitin “Ballkani i Hapur” ka thënë se ftesa për kryeministrin e Kosovës Albin Kurti për t`u bashkuar në këtë nismë është ende e hapur.

Ai ka ftuar Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjë Hercegovinën që të bashkohen në këtë nismë, sipas tij për të bërë diçka më shumë për të ardhmen e vendeve.

“Ftesa për kryeministrin e Kosovës mbetet e hapur, jam i sigurt që nga “Ballkani i Hapur” do të kenë përfitim edhe shtetasit e Malit të Zi, Bosnjës Hercegovinës dhe Kosovës. Të nderuar miqë dhe mikesha nga Mali I zi, Kosova dhe Bosnja e Hercegovina na bashkangjiteni të gjithë së bashku mund të bëjmë më shumë për fëmijët tanë”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se nisma rajonale “Ballkani i Hapur” për Maqedoninë e Veriut ka nisur t’i jep rezultatet e para për qytetarët dhe bizneset.

“‘Ballkani i Hapur’ tashmë ka nisur t’i jep rezultatet para për qytetarët dhe bizneset dhe me vijën e gjelbër nëpër kufi, lejon lëvizje sa më të shpejtë të kamioneve. Ne jemi këtu për të përmirësuar konkurrencën dhe standardin e bizneseve. ‘Ballkani i Hapur’ si një ndërlidhshmeri e mirë dinamike mori mbështetjen nga komuniteti i biznesit dhe u pajtuan që “Ballkani i Hapur” është një platformë që na duhet të gjithëve”, ka thënë Kovaçevski.

Nisma rajonale “Ballkani i hapur”, do të mbahet sot dhe nesër në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Përveç Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në këtë samit për herë të parë do të marrë pjesë edhe Mali i Zi.

Përfaqësuesi i Malit të Zi, kryeministri Dritan Abazoviq ditë më parë tha se nuk ka dëgjuar argument se ‘Ballkani i Hapur’ nuk është i mirë për shtetin që ai përfaqëson.

“Nuk kam dëgjuar argument të vlefshëm se ‘Ballkani i Hapur’ nuk është i mirë për Malin e Zi”, ka thënë Abazoviq.

Pjesë e këtij samiti nuk do të jetë Kosova, e cila e ka refuzuar në vazhdimësi ftesën për pjesëmarrje në këtë nismë.

Më 3 qershor u bë e ditur që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar ftesën e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, për të marrë pjesë në nismën Ballkani i Hapur.

Në një letër drejtuar homologut maqedonas, kryeministri Kurti thotë se Kosova është e angazhuar në Procesin e Berlinit që mbulon iniciativa rajonale, i cili u miratua nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në samitin e Sofjes në vitin 2020 dhe u mbështet plotësisht nga Bashkimi Evropian.

Sot dhe nesër mbahet ‘Ballkani i Hapur’, nismës i bashkohet Mali i Zi, mungon Kosova