Kotorri: Serbia i ka borxhe Kosovës mbi 2 miliardë euro për çështjet e pensioneve

Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA), sot ka paraqitur dy studimet e bëra në lidhje me finalizimin e dialogut Kosovë – Serbi, “Çështja e Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidorë të Kosovës” dhe “Raportet Bilaterale të Raportit Kosovë – Serbi në sektorin e energjisë në kontekstin e marrëveshjes eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”

Mrika Kotorri e cila ka studiuar Fondin  e Sigurimit Pensional dhe Invalidorë, para të pranishmëve tha se Serbia në kohën e luftës nuk i ka paguar pensionistët e nacionalitetit shqiptarë dhe sipas saj Serbia i ka borxhe Kosovës mbi dy miliardë euro për çështjet e pensionit.

“Serbia gjatë periudhës 92- 98 vetëm pjesërisht i realizon obligimet e saja sa i përket   pensioneve për qytetarët e Kosovës, në kohën e luftës e ndërprenë komplet pagesën. Në momentin që miratohet rezoluta 1244 dhe vendoset misioni UNMIK në Kosovë, Serbia e ndërprenë çdo lloj pagese për pensionistët kontribut – pagues të Kosovës të nacionalitetit shqiptarë, por në të njëjtën kohë për pensionistët kontribut – pagues serb i vazhdon pagesat. Dëmi në para arrin diku deri në 2.3 miliard euro në tërësi”, tha Kotorri.

Dëmi i Kosovës nga Serbia që nga viti 1999 deri 2016 në total është 2 miliardë e 849 mijë e 907 euro, thuhet në mesë tjerash në këtë studim.

Ndërsa, Besnik Krasniqi i cili ka prezantuar studimin e energjisë dhe raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë lidhur me këtë fushë ka thënë se sipas studimeve të tij për shkak të mosmarrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Kosova ka humbur 432 milionë euro.