KOSTT: Sot nuk do ketë kufizime në energji elektrike, probleme si ai i Malishevës nuk janë të ndërlidhura me ne

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) njoftoi se gjatë ditës së sotme me udhëzimin e tyre, nuk do ketë kufizime me energji elektrike.

“Njoftohen qytetarët e vendit që bazuar në përgatitjet dhe planifikimet e operatorëve përgjegjës në tregun e energjisë elektrike në Kosovë për sigurimin e energjisë së nevojshme për mbulim të konsumit, përfshirë edhe mbështetjen nga Republika e Shqipërisë, sot me 31 dhjetor 2021 nuk do të ketë kufizime në furnizimin me energji elektrike me udhëzim të KOSTT për qëllime të balancimit të sistemit”, thuhet nga KOSTT.

Në komunikatën për media, KOSTT thekson se kufizimet eventuale si pasojë e mbingarkesës në rrjet, si në rastin e Malishevës, nuk janë të ndërlidhura me ta.

“KOSTT gjithashtu njofton që sa i përket kapaciteteve të sistemit të transmetimit nuk ka fyte të ngushta në asnjë komunë andaj kufizimet eventuale si pasojë e mbingarkesës në rrjetin e distribuimit nëpër komuna përfshirë Malisheva nuk janë të ndërlidhura me KOSTT”, thuhet tutje në komunikatë.

Tutje, sipas tyre, gjendja aktuale mund të përballohet më me lehtësi edhe më mbështetje të qytetarëve, duke shpenzuar energji në mënyrë racioanle.

“Gjendja e krizës energjetike me të cilën po përballet Sistemi Elektroenergjetik i Kosovës e cila ndër të tjera është reflektim i krizës globale energjetike, do të përballohet më me lehtësi me mbështetjen edhe të të gjithë qytetarëve duke shfrytëzuar energjinë elektrike në mënyrë sa më racionale dhe duke kursyer aty ku është e mundur”m theksn më tej KOSTT.

Nga ky operator potencohet se është i rëndësishëm angazhimi i secilit për të shmanguar mos balancën mes konsumit dhe sigurimit të energjisë në këtë krizë energjetike.

“Angazhimi dhe kontributi i secilit është i rëndësishëm për të shmangur mosbalancën e theksuar në mes të konsumit të energjisë elektrike në vend dhe energjisë së siguruar në dispozicion për të evituar zbatimin e masave të parapara me Kodin e Rrjetit/Kodi Operativ si masë e fundit për veprim të nevojshëm për balancim të sistemit, me qëllim të ruajtjes së integritetit të sistemit dhe kontribuar në balancimin e Sistemit Elektroenergjetik të Kosovës dhe të sistemit interkonektiv të Evropës Kontinentale”, thuhet në komunikatë.