KOSTT kërkon 11 milionë euro nga Qeveria e Kosovës për mbulimin e energjisë elektrike në veri

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) ka kërkuar 11 milionë euro nga Qeveria e Kosovës për mbulimin e shpenzimeve të energjisë elektrike në komunat me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës.

Kryesuesi i Bordit të KOSTT-it, Jeton Mehmeti, tha se si pasojë e pezullimit të të hyrave për mbulimin e humbjeve në veri të Kosovës, KOSTT nuk ka pasur mundësi të prodhojë energji elektrike për mbulimin e humbjeve për pjesën veriore të Kosovës që nga dhjetori i vitit 2017.

“Konsumi në pjesën veriore të Kosovës është regjistruar si devijim i Kosovës ndaj Evropës kontinentale që nga ajo periudhë”, ka theksuar Mehmeti.

Mehmeti ishte i ftuar në Komisionin e Ekonomisë në Kuvendin e Kosovës, bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

ZRrE ka marrë vendim që humbjet e energjisë në sistem, konsumi pra në pjesën veriore në tërësi të kalojë si obligim nga KESCO tek KOSTT.

Me hyrjen e KOSTT në ENTSO-E, KOSTT e ka obligim ligjor dhe kontraktual balancimin e zonës rregulluese të Kosovës në kufijtë e vet energjetik.

“Që nga dhjetori i vitit 2020, kur KOSTT është bërë pjesë e ENTSO-E, KOSTT ka blerë energji elektrike për mbulimin e humbjeve në veri. Duke blerë energji në tregun nacional dhe regjional të energjisë elektrike me buxhetin e ndarë nga Qeveria e Kosovës”, ka theksuar Mehmeti.

Kryesuesi i bordit të KOSTT-it, Jeton Mehmeti ka thënë se në fillim të muajit prill të vitit 2020, KOSTT ka hyrë në një fazë kritike ku në mungesë të mjeteve financiare, KOSTT nuk ka pasur mundësi të prokurojë energji elektrike për mbulimin e humbjeve në pjesën veriore.

“Duke blerë energji elektrike për pjesën veriore kemi hyrë në një fazë kritike dhe më nuk kemi mundësi të mbajmë balancimin e sistemit i cili kërkohet prej nesh edhe me ligj edhe me marrëveshjen KOSTT – ENTSO-E”, tha Mehmeti.

Ai paralajmëroi se në rast se ndodhin devijime, KOSTT në bazë të marrëveshjes së kyçjes në ENTSO-E do të ballafaqohet me ndëshkime financiare nga ENTSO-E dhe si rrjedhojë e kësaj, do të ketë rivlerësim të marrëveshjes së kyçjes si dhe dëmton reputacionin e Kosovës dhe shteteve mike që e kanë mbështetur pavarësimin energjetik të Kosovës.

“Nëse kjo ndodhë, sipas marrëveshjes KOSTT do të gjobitet me 5 milionë euro në vit sipas marrëveshjes”, ka potencuar Mehmeti.

Ai kërkoi që kjo çështje të trajtohet me emergjencë nga të gjitha palët e përfshira në këtë situatë.

“Prolongimi i kësaj çështje do të shkaktonte pasoja financiare, kontraktuale dhe reputative si në rrafshin energjetik por edhe më gjerë”, përfundoi Mehmeti.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se objektivi është që furnizimi me energji elektrike në komunat e veriut të rregullohet.

“Është me rëndësi që kjo periudhë tranzitore deri në gjetjen e zgjidhjes përfundimtare të jetë pa tensione. Është me rëndësi të gjejmë një zgjidhje që anëtarësimi në ENTSO-E të mos rrezikohet”, potencoi Rizvanolli.

Rizvanolli theksoi se kjo është sa sfidë teknike edhe politike.

“Është bartur qeveri pas qeverie qe 20 vite. Unë kam ardhur në pozitën e ministres qe 35 ditë dhe ju siguroj që e kemi marrë me prioritet”, tha ministrja Rizvanolli.

Ajo ndau me deputetët e Komisionit disa të dhëna të shpnezimit të energjisë elektrike në komunat me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës.

“Vetëm në vitin 2020 kemi pasur 14% rritje në krahasim me vitin 2019 të shpenzimit të energjisë elektrike. Prej vitit 2018 kemi një rritje enomorme të energjisë elektrike”, tha Rizvanolli.

Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala iu drejtua ministres Rizvanolli duke thënë se nuk mori përgjigje nga ajo nëse Qeveria do ta paguajë 11 milionëshin e kërkuar.

“Nga ajo që dëgjova deri tani nuk morëm përgjigje a do ta paguajë, janë në pyetje 11 milionë euro pas 10 milionëve që janë dhënë nga Qeveria Kurti 1. Sipas kalkulimeve brenda vitit do të shpenzojmë 21 milionë euro për shpenzimet e energjisë elektrike në veri. Në grafikun që na keni dorëzu prej vitit 2018 ka një rritje enorme të energjisë elektrike, pse është kjo rritje?”, tha Shala.

Deputetja Mimoza Kusari – Lila i doli në mbrojtje ministres Rizvanolli duke thënë se ajo ka marrë pozitën qe 35 ditë.

“Ky është problem shtetëror dhe çfarëdo devijimi prej kësaj përgjegjësie domethënë nuk po dojmë me kuptu seriozitetin e kësaj situate. Ne nuk guxojmë që te ENTSO-E apo te Evropa kontinentale, Kosova të perceptohet si problem. E pyetët ministren, e cila veç 35 ditë është në Qeveri në raport me pyetjet për të kaluarën. Cila Qeveri ka qenë në vitin 2018 për me vlerësu?”, përfundoi Kusari – Lila.

Në web faqen e regjistrimit të bizneseve – ARBK, kompania “Drustvo Elektrosever” figuron të jetë e regjistruar në Kosovë me datën 7 nëntor 2018 dhe aktiviteti primar i saj është ‘Tregtia e energjisë elektrike’.

Marrëveshja për energji në mes Kosovës dhe Serbisë është nënshkruar në Bruksel. Palët kishin arritur marrëveshje 15 pikëshe me 19 prill të vitit 2013.

“Drustvo Elektrosever” është regjistruar në Kosovë dhe Qeveria e Kosovës është shprehur se ajo është e lirë të vazhdojë me licencimin për furnizim me energji elektrike nga ZRrE.

Por ZRrE akoma nuk e ka licencuar kompaninë “Drustvo Elektrosever”.

“Arsyet të cilat dihen nga palët e interesit në sektorin e energjisë”, theksoi Jeton Mehmeti, kryetari i bordit të KOSTT-it.

Kompania “Drustvo Elektrosever” ka aplikuar për licencim në janar të këtij viti.

ZRrE për KALLXO.com kanë konfirmuar se ky proces mund të zgjasë pasi që, bordi i Zyrës së Rregullatorit është jofunksional.

“Bazuar në rregullën e lartpërmendur, pas shqyrtimit të aplikacionit, vendimi përfundimtar nevojitet të merret nga Bordi i Rregullatorit. Prandaj, duke qenë se Bordi i Rregullatorit aktualisht nuk është funksional, vendimi përfundimtar nuk mund të merret as për lëshimin e kësaj licence, siç nuk mund të merren as edhe vendime të tjera që kërkohen me legjislacionin përkatës”, theksohet më tej në përgjigjet e këtij institucioni për KALLXO.com.

Para disa ditëve, Qeveria e Kosovës ka hapur konkurs për zgjedhjen e dy anëtarëve dhe kryesuesit të bordit të ZRrE-së.

Kujtojmë se Kosova është pavarësuar nga tregu energjetik me Serbinë.

Pas pavarësimit, Republika e Kosovës do të kontrollojë kufijtë e vet energjetikë, duke dalë përfundimisht nga blloku rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut) dhe duke iu bashkuar Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri.

Deri te kjo ka ardhur pasi ishte votuar Marrëveshja e re e Kyçjes në mes të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO).

Ky zhvillim i kishte hapur rrugë KOSTT-it për integrim në tregun rajonal të energjisë dhe për vënien në operim të linjës energjetike të interkoneksionit Kosovë – Shqipëri.

Linja e interkoneksionit prej 400 kilovatësh në mes të Shqipërisë dhe Kosovës është inaguruar në qershor të vitit 2016 dhe ka shtrirje prej 241.1 kilometrash