KOSTT ka kërkuar buxhet për mbulimin e rrymës në veri

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) ka bërë kërkesë për buxhet për mbulimin e energjisë së shpenzuar dhe jo të paguar në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

“Jemi në një kohë kur zgjidhje për çështjen e mosfaturimit në komunat veriore duhet të ketë një zgjidhje, kemi punuar në dialog e deri tek institucionet tona si KOSTT edhe KEDS që të përmbushim pikë e udhërrëfyesit të nënshkruar, jemi në një situatë që pala tjetër ka përmbushje të disa prej obligimeve por jo e gjithë kjo situatë nuk mund të vazhdojë kështu”- ka thënë Rizvanolli.

Tutje, ministrja ka thënë se do të konsiderojnë të gjitha mënyrat për zgjidhje të problemit.

Nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT) kanë bërë të ditur se humbjet nga mospagesa e rrymës në veri aktualisht janë rreth 11 milionë euro.

“Aktualisht, obligimet financiare të KOSTT për humbjet e shkaktuara nga energjia e konsumuar dhe jo e paguar në pjesën veriore të Kosovës janë afër 11 milionë euro” – ka thënë Elvane Devexhi-Osmani, zyrtare për komunikim me publikun në KOSTT për KALLXO.com.

Sipas saj, në mungesë të buxhetit, për mbulimin e humbjeve nga energjia e konsumuar në pjesën veriore të Kosovës energjia elektrike tërhiqet në formë të devijimeve nga Sistemi Elektroenergjetik i Evropës Kontinentale.

“Të gjitha imbalancet/devijimet e shkaktuara ndaj sistemit interkonektiv përfshirë devijimet për shkak të veriut paraqesin obligime financiare për KOSTT-in si zonë e pavarur rregulluese, ndaj ENTSO-E”, ka theksuar ajo.

Derisa në vitin 2021 humbjet e shkaktuara nga energjia elektrike e shpenzuar por jo e paguar në katër komunat me shumicë serbe në veri kanë arritur shumën mbi 40 milionë euro vetëm në vitin 2021. Më tej ata kanë treguar se nga Qeveria e Kosovës janë mbuluar rreth 7,673,462 milionë euro, pjesa tjetër prej 33,176,197 euro është mbuluar nga buxheti i KOSTT-it sipas udhëzimeve të Parlamentit të Kosovës. Kjo ka bërë që bilanci i suksesit të KOSTT-it të jetë negativ, me humbje rreth 25 milionë euro.

Në fillim të vitit 2021, KOSTT ishte ankuar te Zyra e Rregullatorit për Energji se pagesat që është duke i bërë për enegjinë elektrike të shpenzuar në veri të Kosovës janë duke e çuar drejt falimentimit.

Në gusht të këtij viti, Qeveria e Kosovës ka ndarë 40 milionë euro si pjesë e parë e subvencionit prej 90 milionë euro për energjinë, të zotuar në muajin shkurt.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanollli, pati thënë se shuma prej 40 milionë euro do të përmbush obligimet e KOSTT-it deri në nëntor të vitit 2022, e më pas pagesa e rrymës të bëhej nga vetë qytetarët siç parashihej me udhërrëfyesin për energjinë.

Kosova dhe Serbia më 21 qershor kanë arritur një dakordim për zbatimin për marrëveshjen e energjisë të vitit 2013.

Ky dakordim parashihte një kalendar 100 ditor, deri tek faturimi i konsumatorëve në veri.

Por edhe pas kanë kaluar 175 ditë, faturimi nuk ka filluar, sepse nuk janë zbatuar shumë nga pikat e këtij udhërrëfyesi.

Ndonëse marrëveshja ekziston që nga viti 2013, e ende nuk ka zbatim për të, qytetarët e komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok nuk paguajnë për rrymën e shpenzuar tash e më shumë se dy dekada.

Që nga viti 2017 e deri më sot, konsumi i energjisë elektrike në komunat në veri të Kosovës është paguar nga Qeveria e Kosovës dhe nga KOSTT-i.

Nga viti 1999 deri më 2017, borxhin për veriun e Kosovës e kanë paguar qytetarët e komunave të tjera të Kosovës. Faturat e tyre kanë qenë më të larta për 3.5 për qind.

Megjithatë, pas ankesave të shumta, Gjykata e Apelit ka vendosur në fund të vitit 2017 për pezullimin e kësaj praktike, duke konstatuar se është e paligjshme. Ky vendim më vonë është konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe pagesa më pas është bërë nga Qeveria e Kosovës dhe KOSTT-i.