Foto: Ilustrim

KOSTT: Instruksionet për reduktime të rrymës mbesin në fuqi deri në stabilizimin e situatës

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike në Kosovë – KOSTT, ka thënë se instruksionet për reduktime të rrymës do të mbesin në fuqi deri në stabilizimin e situatës.

KOSTT ka bërë të ditur për KALLXO.com se reduktimet e rrymës do të varen nga ngarkesa në rrjet dhe nga energjia e siguruar nga palët përgjegjëse për të mbuluar konsumin.

“Sipas masave dhe procedurave operative për balancim të Sistemit Elektroenergjetik tëKosovës në kushtet e pamjaftueshmërisë së furnizimit që parashihen me Kodin e Rrjetit, instruksionet për kufizim të furnizimit mbesin në fuqi deri në stabilizimin e situatës që do të thotë sigurimin e energjisë elektrike të nevojshme për mbulimin e konsumit nga operatorët përgjegjës në treg që janë KESCO/KEDS”, kanë thënë nga KOSTT për KALLXO.com.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka njoftuar se më 19 korrik, Furnizuesi i energjisë elektrike – KESCO, ka dorëzuar kërkesë zyrtare për shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave, duke kërkuar dyshim të tarifave të energjisë.

KESCO në kërkesën për ngritje të tarifave të energjisë ka thënë se ende nuk ka pranuar asnjë pagesë/rimbursim apo subvencion nga Qeveria përkundër zotimit.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë për përllogaritjet e subvencionimit të energjisë nga Qeveria dhe planin e shpërndarjes së tij, por ende nuk ka pranuar përgjigje.

Të dielën, KEDS kishte paralajmëruar fillimin e reduktimeve të rrymës, 6 orë me rrymë e dy orë pa rrymë, por ende pa u bërë 24 orë, Ministria e Ekonomisë kishte njoftuar se KEK ka arritur një marrëveshje me KESH-in e Shqipërisë për shkëmbimin e rrymës dhe se nuk do të ketë më reduktime.

KEDS kishte njoftuar të dielën se nga e hëna do të nisin kufizimet e energjisë për shkak të pamundësisë për të blerë energji nga jashtë.

Por të hënën, kishte reaguar Ministria e Ekonomisë, duke thënë se përmes  bashkëpunimit me Shqipërinë nuk do të kishte reduktime.

Edhe përkundër kësaj, dje dhe sot ka pasur reduktime të rrymës. KEDS ka thënë se këto reduktime po vijnë pas instruksioneve nga KOSTT-i.