KOSTT i drejtohet gjykatës për energjinë e pa paguar nga konsumatorët e veriut

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT e ka konfirmuar për KALLXO.com, që i është drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë me Ankesë për anulimin e Nenit 5 të Licencës për Operatorin e Sistemit të Transmetimit (OST) të Energjisë Elektrike.

Ky nen ka të bëjë me kompensimin e humbjeve që dalin nga energjia e shfrytëzuar dhe jo e paguar nga konsumatorët në pjesën veriore të Republikës së Kosovës.

KOSTT ka thënë për KALLXO.com se nga muaji prill 2017 me qëllim të krijimit të kushteve për hapjen e tregut të energjisë me pakicë, përmes Nenit 5 në Licencës së OST lëshuar nga ZRrE-ja përgjegjësia për të mbuluar humbjet nga furnizimi me energji elektrike për pjesën veriore të Kosovës nga Kompania Furnizuese KESCO i është kaluar KOSTT.

“Mjetet për të përmbushur këtë përgjegjësi KOSTT i ka siguruar përmes tarifave të energjisë elektrike deri në vendimin e Gjykatës së Apelit në fund të vitit 2017 për të hequr koston e furnizimit të veriut nga faturat e energjisë elektrike. Kjo ka rezultuar edhe me ndërprerjen e të hyrave nga tarifat për këtë përgjegjësi të mbetur të KOSTT”, thuhet në përgjigjjen e KOSTT.

Si rrjedhojë, KOSTT tha se në pamundësi për të përmbushur obligimin që del nga Neni 5 i Licencës për OST për shkak të mos realizimit të të hyrave për mbulimin e humbjeve nga energjia e shfrytëzuar dhe jo e paguar në veri të vendit, KOSTT i është drejtuar Gjykatës Themelore me ankesë me qëllimin që të zgjidhet situata.

KOSTT ka thënë se do të përmbahet nga komentimi i mëtutjeshëm pasi kjo çështje tani është në procedurë gjyqësore.