Kostoja e jetesës në Tiranë tejkalon mundësitë e qytetarëve me të ardhura të mesme

Krahasuar me nivelin mesatar të pagave, kostoja e të jetuarit në kryeqytet i tejkalon mundësitë ekonomike të shtresës së mesme, duke i detyruar shumicën e të rinjve t’i mbajnë në sirtar ambiciet për investime në pasuri të patundshme dhe sipërmarrje. 

 

Ornela, një vajzë e re 31-vjeçare, tashmë prej gati 4 vitesh banon me motrat e vëllezërit e saj në një shtëpi me qira me tre dhoma në Tiranë.  Ata janë një familje e përbërë prej 2 motrash dhe 2 vëllezërish, ndërkohë që Ornela ishte e para që erdhi në Tiranë nga Skrapari përpara 5 vitesh, duke filluar punë në një ‘Call Center’.

Pas saj, iu bashkua edhe vëllai i vogël dhe 2 të tjerët që ishin gati të vijonin studimet e tyre të larta.

Me ndihmën e Ornelës dhe për arsye ekonomike, ata vendosën të ndajnë të njëjtën shtëpi në mënyrë që të kursejnë të paktën për pjesën e strehimit.

“Punova në Call Center për 3 vite, por është tepër e lodhshme, megjithëse të krijon mundësi ekonomike. Kisha mundësinë që të paktën qiranë për garsonierën në të cilën jetoja fillimisht ta mbuloja vetë. Gjithsesi pasi motra dhe vëllezërit vendosën të vinin dhe ato në Tiranë u detyruam të merrnim një shtëpi më të madhe, me qiranë e të cilës na ndihmojnë dhe prindërit, pasi unë nuk mund t’i mbuloj dot të gjitha me punën time”, tregoi Ornela, e cila tashmë punon si sekretare në një qendër kursesh për gjuhë të huaj.

Sipas përllogaritjeve të databazës ndërkombëtare për kostot e jetesës dhe statistikave botërore “Numbeo”, Tirana renditet e 376-ta mes 558 qyteteve të listuar në të gjithë botën.

Sipas Instituti Kombëtar të Statistikave një familje prej 4 personash në Shqipëri shpenzon mesatarisht 84 mijë lekë në muaj. Një kosto e tillë, shpesh i  kalon mundësitë ekonomike të qytetarëve, pasi paga mesatare mujore bruto gjatë vitit 2020 për një të punësuar është 53 mijë lekë në muaj.

Në mënyrë të veçantë në Tiranë, shpenzimet për marrjen me qira ose kostot e blerjes të një apartamenti janë larg mundësive të shumë prej banorëve të qytetit.

Çmimet e qirave dhe të shtëpive janë të reklamuara në euro, ku një banesë 2+1  e përshtatshme për një familje  prej 4 personash, me kushte minimale, kushton mbi 300 euro, në varësi të vjetërsisë së banesës dhe kushteve të mobilimit.

“Kur punoja në Call Center dhe jetoja vetëm, mund të menaxhoja deri diku shpenzimet e mia, pasi qiraja për një garsoniere ishte relativisht e ulët, rreth 160 mijë lekë të vjetra, si edhe me ushqimin mund të manovroja gjatë ditës duke qenë se isha vetëm unë,” kujton Ornela.

Një shtyllë korenti në rrugët e Tiranës e mbulur nga lajmërimet për apartamente me qira. Qiratë në Shqipëri janë tepër të larta në krahasim me nivelin e pagave mesatare. | Foto : Nensi Bogdani

“Tani që jemi të katërt mundohemi të gatuajmë të gjitha vaktet, gjë e cila kërkon më shumë shpenzime për pazaret e ditës,” shtoi ajo.

Shpeshherë, prindërit e tyre vijnë në Tiranë t’i vizitojnë për t’i ndihmuar me problemet e shtëpisë, ose për t’i sjellë atyre ushqime natyrale nga fshati e për t’ia ulur sadopak shpenzimet mujore.

“Transferimi në një qytet të ri me standard jetese më të lartë është i vështirë si ekonomikisht ashtu edhe nga aspekti social,” tha 31-vjeçarja nga Skrapari.

“Por, nga ana tjetër, jeta në një qytet të vogël të Shqipërisë nuk të jep mundësi për ambicie në punë dhe për përfitime më të mëdha financiare,” shtoi ajo.

Ngjashëm me Ornelën, shumë qytetarë përjetojnë vështirësi për të mbyllur muajin, ku potenciali i tyre blerës është më i ulët sesa çmimet marramendëse që shfaqen  në tregjet dhe dyqanet e Tiranës.

Eli me shoqen e saj të ngushtë prej disa vitesh janë zhvendosur në Tiranë dhe jetojnë bashkë duke ndarë qiranë për të reduktuar shpenzimet.

Eli, 26 vjeçe, me profesion IT, tregon se kosto e të jetuarit në kryeqytet është mjaft e lartë duke pasur parasysh që larg familjes janë të shumta harxhimet që duhen llogaritur, të tilla si qiraja, faturat e energjisë elektrike dhe ujit, ushqimet, veshjet, e shumë nevoja të tjera.

Familja e saj banon në Vlorë, por ajo ka zgjedhur Tiranën duke u munduar të konkurrojë në një treg që përmbush ambiciet e saj profesionale, edhe pse me vështirësi të shumta.

“Rroga ime si IT shkon 500 mijë lekë të vjetra, pasi jam e re në profesion. Ne ndajmë shtëpinë së bashku me shoqen time, ku kemi marrë me qira një apartament 2+1 pranë zonës së Brrylit. Paguajmë 250 mijë lekë të vjetra në total, e cila është një kosto tepër e lartë për t’u paguar nga një person i vetëm, plus 60 mijë të tjera që kushtojnë uji, dritat, interneti”, tha Eli për BIRN.

Ajo tregon sesa i vështirë është fillimi për të rinjtë si ajo, sidomos në aspektin financiar kur atyre u duhet të shkëputen financiarisht nga familja dhe të krijojnë pavarësinë e një jete në një qytet të ri pa mbështetjen e askujt.

“Kam hequr dorë shpeshherë nga disa nevoja apo konsume të ndryshme. Mundohem çdo muaj të kursej 100 mijë lekë të vjetra nga rroga ime mujore prej 500 mijë lekësh.  Kryesisht kam zgjedhur të heq dorë prej shpenzimeve të argëtimit, pasi kostoja totale mujore ka qenë e lartë dhe e pamundur për t’u mbuluar. Çmimet e qirave janë të papërballueshme, e gjithashtu edhe  çmimet e ushqimeve krahasuar me nivelin e pagave janë të larta për mendimin tim,” tha Eli, duke u rrëfyer për vështirësitë financiare me të cilat është përballur.

“Gjithsesi me kalimin e kohës profesione të caktuara ‘kthejnë mbrapsht’ investimin e familjes pasi të ofrojnë të ardhura të kënaqshme”, u shpreh ajo, optimiste për zgjedhjen e profesionit të saj në Teknologjinë e Informacionit  (IT).

E.I, e cila ndan të njëjtën shtëpi me Elin, u shpreh se pritshmëritë e saj për jetën në Tiranë nuk janë përmbushur deri më sot, ndryshe nga si e shihte ajo të ardhmen e saj në kryeqytet.

Ajo la familjen e saj në Fier për t’u shpërngulur në Tiranë dhe për të vijuar studimet në fushën e infermierisë, profesion të cilin e ushtron sot në kryeqytet.

“Këtu çmimet janë shumë të larta, ndërkohë që pagat janë minimale. Detyrohesh për të hequr dorë nga shumë produkte për t’ia dalë mbanë. Sidomos pas vitit 2015, edhe qiraja është rritur pothuajse dyfish më shumë”, tha vajza nga Fieri, e cila ka një pagë mujore prej 35 mijë lekësh.

“Të gjitha të ardhurat e mia mujore shkojnë për qiranë (170 mijë lekë pjesa ime), ujin, dritat, ushqimin (150 -180 mijë lekë) dhe ndonjëherë dhe argëtimin nëse do kem kursyer diçka. Për veshje investoj me raste, në varësi të buxhetit”, tha ajo.

Rrugët e Tiranës janë kthyer në kantiere ndërtimi, por çmimet e larta të tregut e bëjnë të pamundur që të rinjtë të investojnë në prona për të ardhmen e tyre.| Foto : Nensi Bogdani

Mbi të gjitha, tek të rinjtë vihet re hezitimi dhe pamundësia për të ndërmarrë investime për të ardhmen e tyre, qoftë për shtëpi apo aktivitete private në biznes.

“Nuk do të preferoja të bëja ndonjë investim timin, pasi nuk kam siguri mbi të ardhurat. Do të zgjidhja punësimin në një kompani ku të ardhurat mujore janë fikse dhe të sigurta,” tha Eli.

Ngjashëm, edhe bashkëjetuesja e saj infermiere shtoi se të ardhurat e pakta e pamundësonin aftësinë e tyrë për të vënë para mënjanë.

“Ne të rinjtë presim më shumë,” tha ajo. “Unë mendoj të bëj dhe ndonjë investim për të ardhmen time, por aktualisht probabiliteti për të blerë diçka timen është zero”, përfundoi infermierja 25 vjeçare./Reporter.al