Ilustrim

Kosovës po i zbrazen bankat e shkollës

Me rënie të numrit të popullsisë, por edhe për shkaqe të tjera, numri i nxënësve dhe studentëve ka shkuar në rënie në dekadën e fundit.

Nga rënia e natalitetit, migrimit të brendshëm e të jashtëm, numri i nxënësve dhe studentëve po pakësohet. Për dallim nga çerdhet në të cilat pati një rritje solide, në të gjitha nivelet tjera të arsimit pati rënie. Në vitin shkollor 2019/20, nga çerdhet e deri te arsimi universitar e ai special, evidentohen mbi 424 mijë e 786 nxënës e studentë, që paraqet prej -41 mijë e 686 më pak apo -9 për qind.

 Çerdheve dhe arsimit parashkollor çdo vit iu shtuan mesatarisht 845 fëmijë

Në çerdhet e Kosovës dhe në arsimin parashkollorë pati një rritje të numrit të fëmijëve në vitin 2019/20 në raport me vitet paraprake, me një rritje prej 2 mijë 536 fëmijë më tepër për tri vjet. Nga gjithsej mbi 31 mijë fëmijë sa ishin në vitin 2017 ky numër është rritur në mbi 33 mijë e 600.

Kjo i bie se mesatarisht çdo vit iu shtuan 845 fëmijë çerdheve dhe arsimit parashkollor.

Në komunikatën e ASK-së, për të dhënat e arsimit në Kosovë për vitin 2019/20 tregojnë se janë mbi 33 mijë e 600 fëmijë në çerdhe e parashkollorë.

“Sipas rezultateve të dala nga ky publikim del se numri i fëmijëve në çerdhe dhe parashkollorë ishte 33 604, prej tyre në sektorin publik 26 385 fëmijë, ose 78.5%; ndërsa, në sektorin privat 7 219 fëmijë, ose 21.5%.”, thuhet në njoftimin për arsim për vitin  2019/2020

Ndërsa sipas rezultateve, për arsimin në Kosovë për vitin 2018/19, ASK njofton se numri i fëmijëve në çerdhe dhe parashkollor ishte 32,529, prej tyre në sektorin publik 26,595 fëmijë ose 81.8 përqind ndërsa në sektorin privat 5,934 fëmijë ose 18.2 përqind.

Tutje në njoftimin e datës 18 qershor të vitit 2018, ASK tregon se numri i përgjithshëm i fëmijëve në çerdhe dhe parashkollorë, për vitin 2017/18 ishte mbi 31 mijë.

“Sipas rezultateve të dala nga ky publikim del se numri i fëmijëve në çerdhe dhe parashkollorë ishte 31 068, prej tyre në sektorin publik 27 289 fëmijë, ose 87.9%, ndërsa në sektorin privat 3 779 fëmijë, ose 12.1%.”, thuhej në komunikatë.

Arsimi parashkollor përfshin fëmijët në moshën deri në 6 vjeç.

 Arsimi fillor dhe i mesëm i ulët me ulje të vazhdueshme të numrit të nxënësve

 Arsimi fillor dhe i mesëm i ulët përfshinë klasat nga ajo e parë deri në klasën e nëntë, fëmijë të moshës nga 6 deri në 14 vjeç, ku mbi 96 përqind e fëmijëve mësojnë në sektorin publik.

Në këtë nivel të arsimit, numri i nxënësve që vijojnë mësimin ka pësuar trend rënës. Nga viti 2017 e këndej, evidentohet se numri i nxënësve është pakësuar për më shumë se 10 mijë. Me një mesatare pre 3 mijë e 360 nxënës më pak çdo vit.

Në vitin shkollor 2019/20, numri i nxënësve në ciklin fillor dhe të mesëm të ulët ishte rreth 238 mijë

“Numri i nxënësve në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët ishte 237 959, prej tyre në sektorin publik ishin 232 707, ose 95.6%; ndërsa, në sektorin privat ishin 5 252, ose 1.6%.”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa numër më i madh i nxënësve ishte në vitin shkollor  paraprak 2018/19. ASK njoftoi se numri i nxënësve në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët ishte 243,177, prej tyre në sektorin publik ishin 238,401 ose 98.0 përqind, ndërsa në sektorin privat 4,776 ose 1.6 përqind.

Numër edhe më i madh ishte dy vite më parë. Sipas njoftimit të ASK-së, të asaj kohe, numri i nxënësve në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët ishte 248 044, prej tyre në sektorin publik ishin 244 149 nxënës, ose 98.4 përqind, ndërsa në sektorin privat 3 895 nxënës, ose 1.6 përqind.

Shkollimit të mesëm i lartë u pakësohen nxënësit

 Në mësimin e mesëm të lartë bëjnë pjesë nxënësit e kalasve të 10 deri në 12, të grup moshave prej 15 deri në 18 vjeç. Edhe në këtë nivel të arsimit sektorit publik dominon me numrin më të madh të nxënësve me mbi 96 përqind. Ndërsa në anë tjetër. Nga mbi 91 mijë e 340 nxënës që numëron ky nivel i arsimit në vitin 2017, ky numër ka rënë në 79 mijë e 260.

Të dhënat e fundit të publikuar nga ASK, për vitin shkollorë 2019/20 tregojnë se numri i nxënësve në arsimin e mesëm të lartë ishte 79,264, prej tyre në sektorin publik ishin 75,784 nxënës, ose 95.6 përqind; ndërsa, në sektorin privat ishin 3,480 nxënës, ose 4.4 përqind.

Ndërsa njoftimi i një viti më parë për vitin shkollor 2018/19 tregon se ky numër ishte më i lartë

“Numri i nxënësve në arsimin e mesëm të lartë ishte 85,789, prej tyre në sektorin publik 82,581 ose 97%, ndërsa në sektorin privat ishin 3,208 nxënës ose 5.5%.”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Numër më të madh të nxënësve kishte edhe në vitin 2017/18. Numri i nxënësve në arsimin e mesëm të lartë ishte 91,345, prej tyre në sektorin publik 88,444 nxënës, ose 97 përqind, ndërsa në sektorin privat ishin 2,901 nxënës, ose 3 përqind.

Në anën tjetër, numri i nxënësve në arsimin special ishte 349 nxënës në vitin 2019/20 apo 16 nxënës më pak se në vitin shkollor 2018/19 dhe 34 nxënës më shumë në raport me dy vite më parë.

Në vitin shkollor 2017/18, numri i nxënësve në arsimin special ishte 315.

Bie interesimi i të rinjve për studime, çdo vit 12 mijë më pak studentë

Në universitetet e Kosovës, sipas ASK-së, janë gjithsej mbi 73 mijë e 600 studentë ku 80 për qind e tyre janë në universitete publike.

Ky është numri më i vogël i studentëve në tre vitet e fundit. Të dhënat për vitin 2018/19 tregojnë se numri i studentëve ishte mbi 104 mijë e 600 pastaj edhe më herët ky numër kalonte mbi 110 mijë, kurse numri i studentëve në universitete publike dhe ato private kishte një raport prej rreth 66 përqind me 34 përqind.

Në krahasim me vitet paraprake, i bie se numri i studentëve tashmë ka rënë për më shumë se 36 mijë e 530 nga viti 2017 e këndej. Me një mesatare për vit -12,177 studentë më pak.

Më tej evidentohet se studimet nw vitin 2019/20 vijojnë mbi 73 mijë e 600 studentë në Kosovë

“Numri i përgjithshëm i studentëve në arsimin universitar ishte 73 604, prej tyre në universitetet publike ishin 58 879 studentë, ose 80.0%; ndërsa, në kolegjet private ishin 14 725 studentë, ose 20.0%.”, thuhet në komunikatën e ASK-së.

Në njoftimin e muajit qershor të vitit të kaluar, ASK tregoi se numri i studentëve të regjistruar ishte dukshëm më i madh. Numri i përgjithshëm i studentëve në arsimin universitar ishte  104,606 , prej tyre në universitetet publike 68,590 studentë, ose shprehur në përqindje 65.6 përqind, ndërsa në kolegjet private ishte 36,016 studentë, ose 34.4%.

Numri i përgjithshëm i studentëve ishte mbi 110 mijë dy vite më parë ku rreth 64 përqind e tyre ishin në universitete publike.

“Numri i përgjithshëm i studentëve në arsimin universitar ishte 110 137, prej tyre në universitetet publike ishin 70 313 studentë, ose 63.9%, ndërsa në kolegjet private ishte 39 824 studentë, ose 36.1%.”, thuhet në njoftimin e ASK-së për vitin shkollor 2017/18.

Rënia e natalitetit, migrimi i brendshëm por edhe ai i jashtëm mund të shihen si faktorë që kanë ndikuar një rënien e numrit të nxënësve.

Për dallim nga numri i nxënësve ka shënuar rënie të vazhdueshme në tre vitet e fundit, numri i mësimdhënësve është pothuajse në nivelin e njëjtë. Në vitin 2017/18 në tërë Kosovës, në të gjitha nivelet,  evidentohet se ishin 23 mijë e 281 ndërsa një vit më vonë ky numër zvogëlohet për 19 mësimdhënës më pak përderisa në vitin 2019/20, ky numër bie për -28 mësimdhënës më pak.

Në muajin shkurt të vitit të kaluar, në emisionin “Jeta në Kosovë”,  ish ministri i financave Bedri Hamza kishte deklaruar se numri i mësimdhënësve nuk mund të mbetet i njëjtë nëse numri i nxënëseve bie.

“Në vende të caktuara po del që shkollat janë ndërtuar e s’ka nxënës e po mbyllen. Numri i nxënësve është duke u zvogëluar. Unë sot po i lus komunat le të përgatiten për komisionin e radhës së granteve se kjo lidhet edhe me numrin e arsimtarëve. Nuk mundet me vazhdu me qenë numri i arsimtarëve i njëjtë kur numri i nxënësve është duke u zvogëluar. Disa komuna do të kenë nevojë ta kenë një trajtim më të mirë. Komuna e Prishtinës ka nevojë për trajtim më të mirë dhe e Fushë Kosovës”, citohet të ketë thënë Hamza