Sheshi Zahir Pajaziti - Prishtinë - Foto Naim Krasniqi - KALLXO

Kosovës po i tkurret popullsia, vetëm më 2019 emigruan rreth 35 mijë qytetarë 

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), vlerëson se popullsia në Kosovë në vitin 2019, u zvogëlua për më shumë se 13 mijë e 500 qytetarë në raport me vitin paraprak.

Në  vitin 2019 u vlerësua se Kosova pati 1,782,115.00 banorë rezidentë, numër ky më i vogël në krahasim me vitin 2018 sa ishte 1,795,666.00 banorë.

Në 2019 në Kosovë erdhën mbi 6 mijë persona ndërsa emigruan rreth 35 mijë.

“Gjatë vitit 2019, popullsia e Kosovës pati një rritje natyrore për 15,294 persona. Është vlerësuar se gjatë këtij viti kanë: ndërruar vendbanimin (komunën) e tyre, 9,132 persona; emigruar (përfshi të kthyerit) në Kosovë, 6,066 persona; emigruar 34,911.00 persona“, thuhet në komunikatë.

Kurse bilanci i migrimit ndërkombëtar për vitin 2019 ishte -28 mijë e 845 banorë. Tutje thuhet se popullsia rezidente e Kosovës, për periudhën janar deri në dhjetor 2019, u zvogëlua për -13 mijë e 551 banorë.

Sipas njoftimit të ASK-së, dy vite më parë, në Kosovë kishte më shumë shtim natyror, lehtësisht më pak emigrim.

“Gjatë vitit 2018 popullsia e Kosovës pati një rritje natyrore për 18,562 ose u rrite për 1.02%.  Në vitin 2018 është vlerësuar se 8,967 persona ndërruan vendbanimin (komunën) e tyre kurse 6,762 persona imigruan (përfshi të kthyerit) ne Kosove derisa numri i emigrimit ishte dukshëm më i lartë ku 28,164 persona emigruan nga Kosova. Bilanci i migrimit ndërkombëtar në Kosovë për vitin 2018 ishte -21,402 banorë”, thuhet në njoftimin për vitin 2018.

Këto të dhëna, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), i bëri të ditura me publikimin e raportit lidhur me vlerësimin e popullsisë për vitin 2019.

Sipas ASK-së, vlerësimi i numrit të popullsisë është domosdoshmëri, praktikë dhe standard, që kërkohet të bëhet çdo vit nga institucionet zyrtare të statistikave të një vendi. Kjo, për faktin se në periudhën ndërmjet dy regjistrimeve (periudhë dhjetëvjeçare) ndodhin ndryshime të theksuara në popullsinë e një vendi, një komune a një vendbanimi.