Kosovës i duhet strategji kombëtare për paqe të qëndrueshme, thotë raporti

Dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës që synon normalizimin e marrëdhënieve ka rifilluar, por Kosovës i nevojitet ende një strategji gjithëpërfshirëse për t’u marrë me trashëgiminë e konfliktit të viteve 1998-1999, thuhet në një raport të ri hulumtues.

Një raport hulumtues i publikuar këtë muaj, me titull “Demokratizimi i Drejtësisë Tranzicionale në Kosovë” thotë se vendi duhet të përqendrohet në trajtimin gjithëpërfshirës të trashëgimisë së luftës 1998-1999 me forcat serbe në mënyrë që të shkojë drejt një të ardhme të qetë e paqësore.

“Kanë kaluar njëzet e një vjet nga përfundimi i konfliktit të dhunshëm në Kosovë dhe vendi nuk ka arritur ende të hartojë një strategji kombëtare për drejtësinë tranzicionale për shkak të mungesës së vullnetit politik dhe angazhimit midis palëve të interesuara kombëtare dhe ndërkombëtare për t’u angazhuar si duhet me trashëgimitë e së kaluarës”, thotë raporti, i cili u shkrua nga Gëzim Visoka dhe Besart Lumi dhe u botua nga PAX, Integra dhe Nisma e Re Sociale.

Nismat e ndërmarra deri më tani “kanë vuajtur nga mungesa e koordinimit dhe harmonizimit, politizimi dhe personalizimi nga liderët politikë, dhe më e rëndësishmja nuk ka arritur të sigurojë përfaqësim adekuat dhe përfshirje të komuniteteve të prekura (viktimat dhe të mbijetuarit e konfliktit)”, shton raporti.

Raporti argumenton se duhet të ketë një “strategji kombëtare nga poshtë-lart dhe të përqendruar te viktimat” dhe një “infrastrukturë institucionale të integruar” për t’u marrë me trashëgiminë e konfliktit.

Ai thotë se “nuk duhet të ketë marrëveshje paqeje Kosovë-Serbi pa dispozita të drejtësisë tranzicionale” – një referencë për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja midis Beogradit dhe Prishtinës që rifilloi në Bruksel më 16 korrik pasi u bllokua për dy vjet nga mosmarrëveshjet politike.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, thanë pas takimit se ata kishin diskutuar bashkëpunimin në kërkimin e personave të zhdukur gjatë kohës së luftës, një çështje që nuk ka qenë në rendin e ditës më parë.

Vuçiç tha se Beogradi është i gatshëm t’i ofrojë ndihmë Prishtinës në gjetjen e personave me etni shqiptare që rezultojnë ende të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999, por dëshiron që autoritetet e Kosovës të bëjnë të njëjtën gjë, duke ndihmuar në gjetjen e serbëve të zhdukur.

Hoti tha se bisedimet kishin mbuluar gjithashtu çështje të tilla si kompensimi për dëmin e shkaktuar gjatë luftës së viteve 1998-1999. Por Vuçiç tha se ai refuzon ta diskutojë temën e dëmshpërblimeve.