Kosovës i aprovohen 35 milionë euro kredi për sektorin shëndetësor

Ministria e Financave dhe Transfereve ka njoftuar se Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës ka aprovuar kredinë në vlerë prej 35 milionë eurosh për sektorin e shëndetësisë.

Ministria ka thënë se me një procedurë të përshpejtuar Kosova ka bashkërenduar kërkesat e sektorit shëndetësor dhe ka marrë aprovimin nga BZHKE për financim në kohën më të shkurtër që lejojnë procedurat e brendshme të një institucioni financiar ndërkombëtar.

Sipas ministrisë, aprovimi i kredisë në vlerë prej 35 milionë, do të mundësojë financimin e sektorit të shëndetësisë në ballafaqim me COVID-19. Me kërkesë të Kosovës, interesi i Bankës pritet të subvencionohet nga instrumenti i brendshëm Llogaria e Dividendës Sociale në shumë prej 1 milion eurove. Sipas rregullave standarde të Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës norma e interesit përcaktohet në periudhën e negocimit të marrëveshjes së kredisë.

Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës (BZHKE) është institucioni i Këshillit të Evropës që ka mandat për mbështetjen e sektorit social ku përfshihet sektori shëndetësor. Pas goditjes së Evropës nga pandemia, Banka ka reaguar me hapjen e dy raundeve të jashtëzakonshme për mbështetje të 41 vendeve anëtare për mbështetje dhe ngritje të kapaciteteve shëndetësore për ballafaqim me pandeminë COVID-19.

Guvernatori i BZHKE-së Rolf Wenzel me rastin e aprovimit të projektit për mbështetje të financimit të sistemit shëndetësor tha se kjo është kredia e parë sovrane për institucionet e Kosovës, dhe do të sigurojë financim për sistemin shëndetësor dhe grupet e margjinalizuara.

“Kjo kredi e parë sovrane për autoritetet kosovare siguron financim për sistemin shëndetësor dhe grupet e margjinalizuara. Për më tepër, BZHKE do të mbështet me grant si subvencionim të interesit, komponentë e cila do të përmirësoj më tutje kushtet financiare të kredisë. Kredia bëhet e mundshme me procedura të përshpejtuara të ndërlidhura me masat emergjente të COVID-19”, tha ai.

Ministria ka thënë  po ashtu se kredia me BZHKE do të financojë direkt sistemin shëndetësor përmes sistemit të financave publike të Kosovës. Kjo mbështetje do të mundësojë implementim të shpejtë të masave dhe do t’i vë në dispozicion sistemit shëndetësor resurse të cilat nuk i ka pasur që nga periudha e pasluftës.