Kosovë, katër komuna fillojnë vaksinimin me 'AstraZeneca'

Peja, Vushtrria, Prizreni dhe Gjilani kanë filluar vaksinimin me ‘AstraZeneca’, kundër coronavirusit.

Këtë e ka bërë të ditur për KALLXO.com, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti.

Ai gjithashtu tregoi se vaksinimi do të bëhet edhe në Ferizaj, Gjakovë e Mitrovicë, komunat këto në të cilat veprojnë spitalet regjionale.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se deri sot në mesditë 1,228 qytetarë, profesionistë dhe punëtorë të institucioneve shëndetësore janë vaksinuar me vaksinën ‘AstraZeneca’.

Tutje, MSh ka hapur një platformë përmes së cilës qytetarët do të mund të regjistrohen për vaksinim.

“Gjatë tre ditëve të para të aplikimit përmes platformës ekosova.rks-gov.net janë regjistruar 3,256 qytetarë për vaksinim kundër COVID-19, prej të cilëve 316 persona mbi 80 vjeç, 1,435 të moshës 61-80 vjeç, kurse pjesa tjetër janë të moshës nën 60 vjeçe”, thuhet në njoftimin e MSh-së.

Kosova më 28 mars ka pranuar kontingjentin e parë me vaksinën kundër SARS-CoV-2, donacion nga UNICEF, të nesërmen është filluar vaksinimi i stafit shëndetësor dhe qytetarëve mbi 65 vjeç.

Vaksinimi i qytetarëve do të bëhet tek salla “1 tetori” në Prishtinë si dhe nëpër Qendrat e Kujdesit të Mjekësisë Familjare.

Qytetarët pasi që të marrin vaksinën ‘AstraZeneca’ janë të detyruar të qëndrojnë ulur për 15 minuta për të parë nëse u shfaqen reaksione.

Linku ku qytetarët mund të regjistrohen për vaksinim anti-COVID