Foto: Le Bien Public

Kosovari Elvis Bajrami merr përkrahjen e opinionit francez kundër dëbimit nga Franca

Elvis Bajrami, 17-vjeçari nga Kosova, dhe nëna e tij, në nëntor të vitit të kaluar kishin marrë urdhër nga autoritetet franceze për ta lëshuar territorin e Francës, ku kishin shkuar që pesë vite.

Mirëpo, që prej disa ditësh, kundër dëbimit të Elvisit janë ngritur profesorët e shokët e tij të gjimnazit Le Castel, në Dijon. Ata kërkonin që Elvisi të mbetej në Francë.

Pasi kishte marrë përkrahjen edhe të eurodeputetit Raphaël Glucksmann dhe të prezantuesit të njohur televiziv, Cyril Hanouna, rasti i Elvisit ishte bërë i njohur në tërë Francën.

Dhe, gjërat kanë ndryshuar që nga e martja në mëngjes.

Dje, nëna e Elvisit ka marrë nga autoritetet franceze një njoftim përmes të cilit ajo ka të drejtë pune. Së shpejti pritet që ajo të marrë edhe lejeqëndrimin.

“Jam shumë, shumë, shumë i lumtur. Nuk e di nëse kam qenë ndonjëherë në jetën time kaq i lumtur”, ka thënë Elvisi përmes telefonit për “Le Bien Public”.

Ai u është mirënjohës të gjithëve për mbështetjen që ia kanë dhënë ditëve të fundit.