Kosovari arriti të transportoj plumba me aeroplan nga Belgjika

Një pako me municione, me 100 fishekë brenda është kapur nga ana e doganierëve në Aeroportin e Prishtinës.

Personi në valixhen e të cilit janë gjetur plumbat, siç njofton Dogana e Kosovës po udhëtonte nga Belgjika për në Kosovë.

“Oficerët doganor kanë parandaluar futjen e 100 fishekëve përmes aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës. Përmes linjës së fluturimit Bruksel – Prishtinë ka arritur një udhëtar i cili ka kaluar në kanalin e gjelbër dhe është selektuar për kontroll nga oficerët doganor. Pas imazheve të skanimit është kërkuar edhe kontrolli fizik i valixhes dhe gjatë kontrollit fizik të valixhes është hasur në mall të ndaluar respektivisht fishek 8 mm në sasi prej 100 copë”, njofton Dogana e Kosovës.

“Për arsye të natyrës së mallit, pasi hyn në kategorinë e mallrave të ndaluara për import, pa leje përkatëse, rasti konform procedurës i është dorëzuar policisë. Malli i ndaluar, municion për pistoletë me gas 100 copë të markës Fiocchi Blanc 8 mm”, bën të ditur Dogana.