Ilustrim

Kosovari akuzohet se veshi fëmijën me eksploziv në Siri

Djali 3 vjeçar i një burri nga Kosova që kishte udhëtuar për në Siri dyshohet se u detyrua të veshë eksploziv.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër V.Q,  për pjesëmarrje në grup terrorist dhe keqtrajtim  të fëmijës.

Aktakuza përshkruan se kosovari kishte udhëtuar në Siri në vitin 2014 dhe ishte bashkuar organizatës ISIS së bashku me  të ndjerin A.U.

Prokuroria pretendon së për mënyrën e udhëtimit ata janë udhëzuar nga I.A dhe pasi kanë arritur në Siri janë pritur nga pjesëtarët të ISIS-it.

V.Q akuzohet së si pjesëtar i ISIS-it, ka vijuar trajnim përkatës dhe ka punuar si infermier në spitalet ushtarakë të ISIS-it.

Në aktakuzë thuhet se gjatë gjithë kohës i akuzuari ka qenë i pajisur më uniformë ushtarake, pushkë automatikë si dhe me jelek me eksploziv (hizam) duke propaganduar përmes fotografive dhe incizimeve organizatën terroristë ISIS.

V.Q më datë 29.12.2017 është arrestuar nga Forcat Demokratike Siriane ku ka qëndruar deri më 19.04.2019, me ç’rast edhe është riatdhesuar në Kosovë.

V.Q po akuzohet edhe për keqtrajtim të fëmijës.

Ai po përballet më këtë akuzë pasi sipas Prokurorisë më datë 8 shtator 2017, në shtëpinë ku përkohësisht ka banuar, si pjësëtarë i organizatës terroristë ISIS, ka detyruar fëmijën e tij tre vjeçar U.Q. të vesh jelekun eksploziv duke i dhënë edhe pushkë automatikë dhe duke i thënë merre kallashin dhe gjuaj “bam, bam”.