Xhamia e Madhe në Prishtinë.

Kosovarët vaksinohen kundër COVID-19 pas faljes së namazit të xhumasë

Institucionet  shëndetësore të Kosovës po provojnë një teknikë të re për t’i bindur njerëzit që të vaksinohen kundër COVID-19 – duke bashkëpunuar me komunitetin mysliman në lutjet e së premtes, shkruan Euronews.

Imamët në mbarë Kosovën u bënë apel besimtarëve që të vaksinohen, ndërkohë që ekipet mjekësore prisnin në oborret e xhamive për t’i vaksinuar ata.

Pavarësisht rënies së fundit të rasteve të reja ditore, autoritetet kosovare po i frikësohen një përhapjeje të shpejtë të variantit delta, i cili është përhapur shumë kohëve të fundit. Sipas tyre, vaksina është mjeti më i mirë për ta frenuar pandeminë.

Ka pasur rënie të interesimit për ata qytetarë të cilët duan të vakisnohen, nga 20,000 në ditë në fillim të muajit mars në më pak se 2,000 në ditë këtë javë. Rreth 42% e popullsisë prej 1.8 milionë banorësh janë vaksinuar.

“Kjo është një nismë shumë e mirë. E falënderoj komunitetin islam, qeverinë dhe ministrinë e shëndetësisë për një iniciativë shumë të rëndësishme, e cila është shumë e nevojshme,” tha Ruzhdi Zhitia, pensionist i cili e mori dozën e parë të vaksinës menjëherë pas faljes së xhumasë.

Në xhaminë kryesore të kryeqytetit të Prishtinës, disa qindra njerëz po e falnin xhumanë dhe pastaj shumë prej tyre u vaksinuan me  vaksinën Pfizer.

Këtë muaj Kosova ka shënuar rënie të ndjeshme të rasteve të reja ditore. Të enjten u raportuan vetëm 11 raste dhe nuk pati asnjë rast të vdekjes.

Autoritetet kosovare po vazhdojnë me vendosjen e disa masave kufizuese, të tilla si ora policore gjatë natës, ndërkohë që mbajtja e maskave është e detyrueshme brenda dhe jashtë hapësirës.

Imami i xhamisë Sulltan Mehmed 2 në Prishtinë, Burhan Hashani, ishte në mesin e atyre që u bëri thirrje besimtarëve për tu vaksinuar dhe porosia e tij u prit shumë mirë.

“Është hera e parë që e dëgjoj imamin duke bërë thirrje për vaksinim. Të gjithë duhet të vaksinohen, pa marrë parasysh gjininë dhe moshën. Të gjithë duhet ta marrim atë”, tha Egzon Daka, një i ri në xhami.