Foto: VOA

Kosovarët që shkojnë në Zvicër, duhet të vetizolohen

Nga data 6 korrik, qytetarët e 29 vendeve që shkojnë në Zvicër, do të duhet të lajmërohen tek autoritetet dhe të vetizolohen, si masë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Lista e vendeve me rrezik të lartë infeksioni përfshin edhe Kosovën.

Një njoftimin e Qeverisë zvicerane, të publikuar të enjten, thuhet se “vizitorët që kanë kaluar kohë në vendet e emëruara gjatë 14 ditëve të mëparshme, duhet t’i njoftojnë autoritetet zvicerane menjëherë pas mbërritjes dhe më pas të futen në karantinë për 10 ditë”.

Lista e vendeve të prekura përfshin gjithashtu Serbinë, Suedinë, Shtetet e Bashkuara, Brazilin e të tjera.

Lista do të rishikohet vazhdimisht, tha Qeveria zvicerane.

Në Zvicër, numri i të infektuarve me koronavirus ka filluar të rritet në javët e fundit, por kufijtë e saj me Italinë, Austrinë, Gjermaninë dhe Francën mbeten të hapur.

Zvicra ka konfirmuar afro 32,000 raste me koronavirus dhe 1,686 viktima/REL/.