Festa e 28 Nëntorit në Prishtinë - Foto: KALLXO.com

Kosovarët pushojnë më 28 Nëntor

Kryeministri i Kosovës në detyrë, Ramush Haradinaj, ka marrë vendim që 28 Nëntorin- Ditën e Flamurit të shqiptarëve ta shpallë ditë pushimi në të gjithë Kosovën.

“Me rastin e Ditës së Flamurit, mbështetur në Ligjin për Festat Zyrtare, kam marrë vendim që 28 Nëntori, të shpallet ditë pushimi në territorin e Republikës së Kosovës, për t’i respektuar vlerat e traditës kombëtare shqiptare. Vendimi, që 28 Nëntori të jetë ditë pushimi, është i motivuar nga aspekti historik, tradicional dhe politik”, ka shkruar Haradinaj.

Ligji për festat në Kosovë, përfshin festat zyrtare, ato memoriale dhe festat komunale.

Ligji ka gjithsej 11 festa dhe respektohet në tërësi nga institucionet publike, derisa shumë nga bizneset e sektorit privat e kanë ditë pune.

Festat zyrtare në Kosovë, të përcaktuara me ligj janë: Viti i Ri, Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Dita Ndërkombëtare e Punës, Dita e Europës, Bajrami i Madh, Bajrami i Vogël, Krishtlindjet Katolike, Krishtlindjet Ortodokse, Pashkët Katolike, si dhe Pashkët Ortodokse.

Përveç këtyre festave, në Kosovë sipas Ligjit janë të përcaktuara edhe tetë ditë tjera memoriale.

Data 28 nëntor shënohet si Dita e Flamurit të shqiptarëve dhe 12 Qershori – Dita e Paqes, e që për të dy ditët pushohet.

Kurse gjashtë festat tjera memoriale i përkasin ditës se komuniteteve të ndryshme që jetojnë në Kosovë.