Kosovarët mund të udhëtojnë pa viza në Tajvan nga 1 dhjetori

Qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza drejt Tajvanit nga data 01.12.2024. 

Kështu ka njoftuar zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti. 

“Duke filluar nga 1 dhjetori 2024, qytetarët e Republikës së Kosovës me pasaporta të rregullta, diplomatike ose zyrtare do të mund të udhëtojnë pa viza drejt Tajvanit”- ka bërë të ditur ai. 

Përmes një njoftimi në Facebook, Ahmeti ka thënë se “kjo shënon një hap tjetër të rëndësishëm në fuqizimin ndërkombëtar të pasaportës së Kosovës, ku vetëm brenda këtij mandati qeverisës u mundësua udhëtimi pa viza në Zonën Shengen, Emiratet e Bashkuara Arabe, Tajlandë, Izrael dhe tani edhe në Tajvan”.

“Kjo mundësi e re për lëvizje të lirë me Tajvanin hap rrugën për partneritete ekonomike, shkëmbime arsimore dhe bashkëpunim kulturor midis dy shoqërive tona”- ka shkruar Ahmeti, të premten, më 29.11.2024. 

Nga data 01.01.2024 qytetarët e Kosovës nisën lëvizjen e lirë në vendet e Zonës Schengen me pasaporta biometrike, me kushtin që të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh.