Kosovarët i regjistronin në Gjermani si shtetas të Serbisë, ambasadori Ajeti njofton për zgjidhjen e këtij problemi

Faruk Ajeti, ambasador i Kosovës në Berlin, ka bërë të ditur se në komunikim me institucionet gjermane kanë arritur që të eliminojnë problemin me të cilin janë ndeshur bashkëatdhetarët atje prej kohësh, të cilët me automatizëm regjistroheshin si shtetas serbë.

Përmes një video-incizimi të publikuar në Facebook, ai ka lajmëruar që jo vetëm në 16 lande gjermane, por edhe në mbi 5,200 Qendra të Regjistrit Civil në Gjermani kanë pranuar tashmë një Qarkore nga Ministria Federale e Punëve të Brendshme të Gjermanisë, ku janë njoftuar për këtë ndryshim të rëndësishëm për shtetasit e Kosovës.

“Më shumë se 17 vjet, qindra e mijëra qytetarë të Republikës të Kosovës janë regjistruar me automatizëm në Komuna të ndryshme të Gjermanisë, në mënyrë të padrejtë dhe të gabuar si shtetas të Serbisë. Tani kam kënaqësinë t’ju njoftoj që si shkak i punës dhe angazhimit tonë diplomatik ky problem i pazgjidhur prej sa vitesh tash e tutje do të marrë fund.” – ka thënë Ajeti.

Ambasadori ka thënë se një gjë e tillë është arritur në vazhdën e përpjekjeve dhe komunikimeve me institucionet gjermane, përkatësisht Kancerlarinë Federale, Ministrinë Federale të Punëve të Brendshme dhe Ministrinë Federale të Drejtësisë.

Ai u ka bërë thirrje shtetasve kosovarë që të shkojnë të bëjnë korrigjimin e shtetësisë në Qendrat përkatëse.

“Duhet të kërkoni që në kategorinë e shtetësisë të dokumentacionit përkatës, të largohet një herë e përgjithmonë shtetësia e Serbisë.” – tha ai.

Në vitin 2024, diaspora shqiptare në Gjermani përmes Organizatës së Akademikëve dhe Studentëve të Diasporës Shqiptare në Hamburg i kishte drejtuar një Kërkesë kancelarit Olaf Scholz, për ndryshimin e Ligjit për Shtetësinë – duke kërkuar heqjen e shtetësisë serbe për kosovarët në Republikën Federale të Gjermanisë.